Neni 4, katalizator i përplasjes së radhës Kurti - Vuçiq - NACIONALE

Neni 4, katalizator i përplasjes së radhës Kurti - Vuçiq

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Dikush i buzëqeshur. Dikush fytyrëvarur. Një tjetër me duart në kokë për ta bërë mediatikisht më dramatike. Në fund fare të gjithë pajtohen, por nuk koordinohen në deklarata. Tregohen të paqartë, për të zhbërë edhe shumë atë pak transparencë nga diskutimet mbi planin evropian, që tashmë ka ndryshuar edhe emër.

Megjithatë, një përplasje tjetër mes Kurtit dhe Vuçiq është në horizont. Dhe katalizator për këtë duket të jetë neni 4. Qe vet kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti që përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter" shpalosi tendencën plot brumë të presidentit Vuçiq për të shkelur këtë nen, që në thelb ka integrimin euro-atlantik të vendit tonë.

Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të Nenit 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundshëm vetëm nëse të dyja palët negociojnë me mirëbesim. Serbia me sa duket vendosi që të mos e bënte,” – shkroi ndër tjerash shefi i ekzekutivit kosovar.

Thelbi

Rikthehemi pak te marrëveshja e arritur, por që s'u nënshkrua. Bashkimi Evropian publikoi 11 pikat e saj, kurse e katërta ka të bëjë mungesën e së drejtës për Serbinë që t'ia ndalojë Kosovës integrimin në mekanizmat ndërkombëtarë.

"Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.", thuhet në nenin 4 të kësaj marrëveshjeje, e cilas sipas parathënies, palët bien dakord mbi përkushtimin për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës.

Në anën tjetër, profesori amerikan, Daniel Serwer e ka quajtur si dështim takimin e 27 shkurtit.

Përmes një shkrimi të publikuar e të titulluar: “Hiqni karrotat dhe nxjerrni shkopinjtë” ai komendoi pikat e marrëveshjes, ndërsa foli edhe për nenin 4, atë që po shihet si përplasja e radhës e mundshme mes palëve përfaqësuese në tavolinën negociatore në kryeqendrën evropiane.

Sipas Serwer, pika katër ka të bëjë me reciprocitetin, pasi palët nuk mund të përfaqësojnë njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare. Profesori shton se kjo formë është për t'u vlerësuar në suazat e reciprocitetit. Gjithsesi, ai përmendi faktin se kjo nuk është reciproke, pasi Kosova s'e ka bërë asnjëherë një gjë të tillë, pra ta pengojë Serbinë.

Veç kësaj, duke folur për nenet 1, 2 dhe 3, ai shprehet se njohja reciproke ekziston në një formë virtuale.

“Së bashku, këto përbëjnë njohje reciproke si shtete të pavarura dhe sovrane, në gjithçka veç emrit. Kjo është njohje virtuale.” – pretendon ai.

Ai shprehet kritik vetëm sa i përket mospërmendjes së njohjes nga ndonjë prej pesë vendeve mosnjohëse të BE-së.

'Fytyrëvaruri'

I pari i serbëve, Aleksandar Vuçiq, e tha vet se nuk dëshiron dhe nuk mund të bisedojë për pranim e hyrje të Kosovës në OKB.

“Serbia ka gatishmëri që të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga propozimi, por ne e bëmë një kundërshtim të madh e të qartë. Këtë gjë ia thashë Macronit dhe Scholzit në Mynih, dhe krejt liderëve të mëdhenj. Është fjala se nuk dua dhe nuk mund të bisedohet për njohje reciproke dhe për pranim e hyrje të Kosovës në OKB.

Më thanë që nuk ka negociata për këtë gjë. E përsëris, nuk do të marrë pjesë në zbatimin e disa gjërave... I thashë Macronit, Scholzit, Lajçakut. Ndërsa unë jam president i Republikës, nuk do të nënshkruaj as njohjen formale e as joformale të Kosovës, as anëtarësim në OKB,” – u shpreh ai.

Profesori

Marko Milanoviq, profesor i së drejtës ndërkombëtare e ligjërues në Universitetin Reading, e ka komentuar marrëveshjen evropiane, ashtu siç njihet tashmë edhe zyrtarisht plani franko-gjerman.

Në deklarimin e tij, raporton N1, Milanoviq ka thënë se përkundër mundësisë së nënshkrimit të marrëveshjes evropiane, Kosova “nuk do ta ketë të mundur të anëtarësohet në OKB edhe për shumë vite”.

Sipas Milanoviq, marrëveshja evropiane nuk është një marrëveshje ndërkombëtare.

“Nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, por një marrëveshje politike që përfaqëson një hap përpara për të konkluduar një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshe”deklaroi Milanoviq, transmeton N1.

Lajme të ngjashme