Albin Kurti: Vuçiqi tregoi tendencë të qartë të shkeljes së propozimit evropian (franko-gjerman) - NACIONALE

Albin Kurti: Vuçiqi tregoi tendencë të qartë të shkeljes së propozimit evropian (franko-gjerman)

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një postim në Twitter në të cilin ka deklaruar se presidenti serb ka tendencë që ta shkelë pikën 4 të planit franko-gjerman.

Kurti komentoi deklarimet e djeshme të presidentit serb, i cili tha se Serbia nuk do ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të Nenit 4 të propozimit të BE-së.”- u shpreh z. Kurti, për komentet e bëra nga Vuçiqi dje për RTS.

“Normalizimi i marrëdhënieve është i mundshëm vetëm nëse të dyja palët negociojnë me mirëbesim. Serbia me sa duket vendosi që të mos e bënte,” – vazhdoi tutje Kurti.

Çka tha Vuçiqi?

Vuçiq ishte kategorik në këtë pjesë:

“Serbia ka gatishmëri që të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga propozimi, por ne e bëmë një kundërshtim të madh e të qartë. Këtë gjë ia thashë Macronit dhe Scholzit në Mynih, dhe krejt liderëve të mëdhenj. Është fjala se nuk dua dhe nuk mund të bisedohet për njohje reciproke dhe për pranim e hyrje të Kosovës në OKB. Më thanë që nuk ka negociata për këtë gjë. E përsëris, nuk do të marrë pjesë në zbatimin e disa gjërave... I thashë Macronit, Scholzit, Lajçakut. Ndërsa unë jam president i Republikës, nuk do të nënshkruaj as njohjen formale e as joformale të Kosovës, as anëtarësim në OKB,” – u shpreh ai.

Çka thotë neni 4?

Në dokumentin e publikuar nga ana e Bashkimit Evropian (BE), shkruhet në mënyrë eksplicite se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

"Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare." - ka thënë z. Kurti.

Por, si duket megjithëse të dy janë pajtuar me propozimin, Kurti dhe Vuçiqi të paktën këtë pikë e kanë kuptuar në mënyrë të ndryshme.

Pajtimi?

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, është shprehur gjatë ditës së takimit të 27 shkurtit se palët ishin pajtuar që madje as të mos kishte negociata shtesë për tekstin e propozimit që do të quhej "Marrëveshja e rrugës për normalizimin e marrëdhënieve". Ajo çka do të negociohej më tej ishte "plani i zbatimit".

“Jam i lumtur të lajmëroj që presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit të Bashkimit Evropian" - ishte shprehur z. Borrell.

Lajme të ngjashme