Ndihma për Ukrainën, PDK e pakënaqur: Qeveria Kurti s’po bën sa duhet, të ndahen 1 milionë euro për ukrainasit - NACIONALE

Ndihma për Ukrainën, PDK e pakënaqur: Qeveria Kurti s’po bën sa duhet, të ndahen 1 milionë euro për ukrainasit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, njoftoi se është krijuar Fondi për ndihmë Ukrainës, e cila po përballet për më shumë se 40 ditë me agresionin rus. 100 mijë euro është shumë që ka ndarë Qeveria Kurti ka dhuruar për popullin ukrainas, si pjesë e kontingjentit të parë të ndihmës humanitare.

Krahas parave, Qeveria Kurti paralajmëroi strehimin e 20 gazetarëve ukrainas në Kosovë.

Në lidhje me këto hapa të Qeverisë, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me zëdhënësin e Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahun, i cili tha se iniciativat e ekzekutivit nuk janë të mjaftueshme.

“Ne sot duhet të bëjmë më shumë për Ukrainën se që bënë Qeveria aktuale. Siç e ka bërë të ditur Kryetari Krasniqi, Partia Demokratike e Kosovës konsideron se Kosova është dashur ta ndihmojë Ukrainën me një milion euro dhe të sigurojë strehim për 5 mijë refugjatë”, tha Abdullahu për Nacionale.

Zëdhënësi i PDK-së ka theksuar se ndihma më e madhe ndaj Ukrainës dërgon mesazhin e rreshtimit të Kosovës me botën demokratike.

“Duke e ndihmuar sot Ukrainën e kemi mundësinë e mirë që të krijojmë bazë të shëndosh mbi të cilat do të ndërtojmë raporte të mira me një shtet të madh të Evropës, por edhe ti tregojmë botës demokratike se ne jemi rreshtuar përmbajtësisht me vlerat liberal-demokratike për t’iu kundërvënë Federatës Ruse dhe putinizmit se rrezik i ri i rendit botëror”, tha Abdullahu për Nacionale.

Qeveria e Kosovës që në krye të herës i është bashkuar me vendet e shumta perëndimore në sanksionet kundër Rusisë duke miratuar një pako sanksionesh.

Në këtë pako, përfshihej ngrirja e aseteve të individëve të sanksionuar, ndalimin e udhëtimit të individëve të sanksionuar në territorin e Kosovës dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve të individëve ose entiteteve të qytetarëve të Kosovës për të sanksionuarit.

Përveç sanksioneve, Kryeministri Kurti kishte konfirmuar po ashtu se Qeveria e udhëhequr prej tij ka marrë vendim që t’i strehojë 20 gazetarë ukrainas në vendin tonë.

“Ata u detyruan të lënë vendlindjen e tyre pas pushtimit të Rusisë. Në mbështetje dhe solidaritet me Ukrainës dhe popullin e tyre, në bashkëpunim me Federatën Evropiane e Gazetarëve dhe Qendrën Evropiane për Liri të Medias, do t’u mundësojmë që të bashkëpunojnë në distancë”, shkroi Kurti në Tëitter.

Këto mjete, sipas njoftimit të qeverisë, do të përdoren me qëllim të mbulimit të shpenzimeve që lidhen me qëndrimin e këtyre gazetarëve në Kosovë për një periudhë deri në 6 muaj.

Megjithatë, ende nuk ka ndonjë informacion se kur do të mbërrijnë gazetarët në Kosovë dhe si do të akomodohen ata dhe në çfarë mënyre do të dërgohen paratë tek populli ukrainas.

Lidhur me këto, Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë Qeverinë, mirëpo deri në botimin e këtij shkrimi, ekzekutivi nuk ka kthyer përgjigjje.

Kujtojmë që kohë më parë, PDK kishte propozuar që Kosova është ta ndihmoj Ukrainën me një milion euro dhe të sigurojë strehim për 5000 mijë refugjatë.

“Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës të ndajë një fond të veçantë për Qeverinë dhe qytetarët e Ukrainës për të ju dalë në ndihmë në këtë periudhë tepër të rëndë për ta, dhe në rast nevoje të mundësojë strehimin e 5,000 qytetarëve ukrainas”, kishte deklaruar Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 40 të saj, teksa nuk ka ende shihet mundësi paqeje në horizont. /Nacionale/

Lajme të ngjashme