Gjykata ruse ia ndalon pjesëmarrjen në zgjedhje partisë së vetme që është kundër luftës - NACIONALE

Gjykata ruse ia ndalon pjesëmarrjen në zgjedhje partisë së vetme që është kundër luftës

1 orë më parë

nga NACIONALE

Partia e vetme liberale ruse që është kundër luftës në Ukrainë nuk do të mund të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm, sipas vendimit të një gjykate në Moskë.

Yabloko ishte partia e vetme e regjistruar që e kundërshton luftën e Rusisë në Ukrainë. Rasti kundër saj ishte paraqitur nga Rodina, parti nacionaliste pro Kremlinit, raporton televizioni BBC.

Qindra njerëz, kryesisht shumë të rinj, të hënën qëndruan para ndërtesës së gjykatës në Moskë, ku po zhvillohej seanca, për të shprehur mbështetje për partinë Yabloko, duke kënduar këngë e duke valëvitur flamuj.

Në video të publikuara në rrjete sociale shihet se, kur u mor vesh lajmi për vendimin e gjykatës, turma filloi të brohoriste: “Turp! Turp!”

Në padinë e dorëzuar nga partia Rodina, partia Yabloko akuzohej për mbështetje publike për një organizatë ekstremiste duke publikuar materiale në uebfaqen e vet në përkrahje të “lëvizjes ndërkombëtare LGBT”, të cilën Gjykata Supreme e Rusisë në vitin 2023 e kishte cilësuar si ekstremiste.

Rodina gjithashtu tha se partia Yabloko ishte fajtore për shkelje të të drejtave të autorësisë, pasi një anëtar i lartë i partisë kishte cituar pjesë të tekstit të një këngë nga periudha sovjetike – “Le të ketë gjithmonë diell” – në një intervistë.

Në seancë, shërbimi vëzhgues financiar i Rusisë gjithashtu pretendoi se Yabloko kishte marrë të holla përmes palëve të treta nga shtete të huaja, përfshirë Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i kontrolluar nga Kremlini, e kishte miratuar në fund të korrikut listën me kandidatë të partisë Yabloko.

Lajme të ngjashme