Sulmi ukrainas me dron ndaj rafinerisë së naftës në Rusi vret të paktën 13 njerëz
Një sulm ukrainas me dron ndaj një qyteti industrial thellë brenda Rusisë ka lënë të vdekur të paktën 13 njerëz, sipas kryetarit të qytetit, përderisa Kievi po i shton sulmet me rreze të gjatë ndaj caqeve që ndodhen larg vijë së frontit.
Ukraina tha se e goditi rafinerinë “Taneco” në qytetin Nizhnekamsk, rreth 1.200 kilometra larg kufirit ukrainas. Në pamje të publikuara në internet duket se shfaqej tymi duke dalë nga rafineria, raporton gazeta “The Guardian”.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se ky sulm është pjesë e fushatës për ta zvogëluar “potencialin ushtarak të agresorit rus”.
Hetuesit rus pretenduan se zona civile dhe industriale në qytet ishin goditur. Kreu i rajonit të Tatarstanit, Rustam Minnikhanov, tha se një dron ukrainas goditi një bujtinë, duke vrarë nëntë njerëz. Ai publikoi fotografi të një ndërtese të dëmtuar rëndë.
Nëse numri i viktimave konfirmohet, ku do të ishte njëri nga sulmet më vdekjeprurëse ukrainase ndaj territorit rus që nga fillimi i pushtimit të plotë nga forcat ruse më 2022, duke e nënvizuar aftësinë në rritje të sulmeve të Kievit thellë brenda Rusisë.
Konsullata uzbeke tha në një postim në rrjetin “Telegram” se shtatë prej viktimave ishin shtetas uzbekë. Minnikhanovi shpalli një ditë zie dhe prokurorët rusë hapën rast nën dyshimet për terrorizëm.