Ndëshkimet e Amerikës: Zyrtari i lartë amerikan shtyn vizitën e planifikuar në Kosovë
Zyrtari i lartë amerikan, ndihmës sekretari Todd Robinson ka shtyrë vizitën e planifikuar për në Kosovë, krejt kjo, për shkak të tensioneve në veri. Në një përgjigje për Nacionalen, Ambasada Amerikane ka bërë thirrje edhe një herë për deeskalim të situatës.
Ndihmës sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson e kishte të planifikuar një vizitë në Kosovë përgjatë këtyre ditëve.
E njëjta është shtyrë pas krizës në veri, ka konfirmuar një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Kosovë për Nacionalen.
“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovë, ndihmës sekretari Robinson ka shtyrë vizitën e tij në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për deeskalimin e situatës dhe rikthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.” – ka thënë ky zëdhënës.
Fjalët e Jeff Hovenier
Para disa ditësh, derisa në veri situata ishte tejet e tensionuar, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier kishte mbajtur një diskutim me disa prej gazetarëve në Kosovë, duke përfshirë edhe të Nacionales.
Në këtë diskutim, Hovenier kishte paralajmëruar se nuk do të ketë takime të zyrtarëve amerikanë me ata të Kosovës.
Ai madje, kishte deklaruar se do të çuditej nëse kjo do të ndodhte në këtë situatë.
“Do të çuditesha nëse në këtë situatë, zyrtarët e Kosovës do të kishin ndonjë vizitë bilaterale të nivelit të lartë me ndonjë zyrtarë amerikanë, apo anasjelltas.” – kishte thënë ai.
INL
INL është shkurtesa në gjuhën angleze për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve. Kjo byro, e cila funksionon nën Departamentin e Shtetit, është krijuar në vitin 1978 për të reduktuar trafikimin e drogës nga ShBA nga Amerika Latine.
Madje, në përshkrimin në faqen zyrtare, thuhet se misioni i saj ishte zgjeruar edhe më shumë përtej luftimit të trafikimit të drogës – në përkrahjen e përpjekjeve për stabilitet në Ballkan.
“Sot, INL përdor një gamë të gjerë mjetesh për të luftuar krimin, drogat e paligjshme dhe paqëndrueshmërinë jashtë vendit, duke përfshirë ndihmën e huaj, diplomacinë dypalëshe, angazhimin shumëpalësh dhe raportimin, sanksionet dhe shpërblimet.” – thuhet në faqen zyrtare të DASh-it.
Cilat janë kompetencat kryesore? - E para, ndihmën ndaj qeverive partnere të ShBA-së.
“INL ka dy kompetenca thelbësore plotësuese: të ndihmojë qeveritë partnere të vlerësojnë, ndërtojnë, reformojnë dhe mbështesin sistemet kompetente dhe legjitime të drejtësisë penale, dhe zhvillimin dhe zbatimin e arkitekturës së nevojshme për kontrollin ndërkombëtar të drogës dhe bashkëpunimin ndërkufitar të zbatimit të ligjit.” – shkruan në përshkrimin e punës së kësaj byroje.
Për fund, vlen të theksohet se ditëve të fundit për shkak të situatës në veri, ShBA-ja e ka ashpërsuar gjuhën e saj ndaj Kosovës.
Ishte vetë sekretari i Shtetit, Antony Blinken që u deklarua disa herë në këtë lidhje me këtë situatë duke deklaruar fillimisht si vijon: “I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”.
Ndërkohë, Blinken kishte paralajmëruar se këto veprime, do të kenë pasoja në marrëdhëniet e Kosovës me shtetin më aleat të saj.
Përveç shtyrjes së vizitës së përmendur më lartë, ShBA-ja veç se ka zbatuar “sanksionin” e parë ndaj Kosovës, duke e përjashtuar nga ushtrimi “Defender 2023”.

