Ndërron zhanër edhe Dejona: Prej ‘filmit’ të madh të Urës së Ibrit kthehet në kinematografi tamam - NACIONALE

Ndërron zhanër edhe Dejona: Prej ‘filmit’ të madh të Urës së Ibrit kthehet në kinematografi tamam

1 vit më parë

nga Xhezair Dashi

“Nuk ka jetë prej njeriu pa kurajo”.

Me këtë adazhe të personalizuar (vini re: ‘prej njeriu’), de-fakto e mbivendosura për nga autoriteti në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, e përmbyllte thirrjen ndaj të gjithëve që po peshonin racionalisht se si të përkthenin gjendjen mes thirrjeve shqetësuese nga hisedarët ndërkombëtarë të sigurisë në vend me në krye Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe dhënies për fakt të kryer nga qeveria kosovare se Ura e Ibrit po hapet për automjete pavarësisht gjithçkaje e gjithkujt.

ShBA dërgoi edhe më shkrim raport te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me vlerësimin se jetët e ushtarëve amerikanë “vendosen në rrezik” nga hapja thjesht-ashtu e Urës së Ibrit, teksa konstatonte edhe se plani i qeverisë “nuk i merr parasysh këto rreziqe”.

Por, Mihalit aq i bënte: kishte ndërmend të tregonte se “kurajoja” është përbërësi më i domosdoshëm në atë situatë: Frikën duhej çjerrur si ndjenjë që paralizon perspektivën, ngase me të, përkthyeshëm, nuk ka jetë “prej njeriu”.

Kurajo nuk është mospasja e frikës. Kurajo është besimi se diçka tjetër është më e rëndësishme se vetë frika. E, ashu pra edhe për ne, pjesëtarët e popujve më të vegjël. Nuk ka jetë prej njeriu pa kurajon”.

Kështu shkruante Dejona Mihali, në kohën kur opinioni publik ishte në mes të asaj që servohej për ungjill-sovraniteti me çdokusht, dhe NATO-s që ka kompetencat finale në vend për çështje të sigurisë.

Por...por...ky refren i trumbetimit të Urës së Ibrit, i.e, hapjes së saj, ka nisur të zbehet edhe nga krye-lajmëtarja e Vetëvendosjes: Dejona Mihali.

Nga ‘filmi’ i madh i sovranitetit, Mihali me ç’duket i është kthyer kinematograisë përtoke. U mor duke shpërndarë një film të regjisores Norika Sefa: “Si e verdhë e sëmurë”.

Ndonëse arti (në kuptimin e zanatit) i Dejona Mehalit njihet në dirigjimin, instruktimin dhe vetë-shkruarjen e kush-çka-ka-për-të-thënë në Vetëvedosje, ajo, tash për tash, u kthye në art-dashëse.

Edhe Vetëvendosja në përgjithësi pas vizitës së William Burns, shefit të CIA-s, e ka hequr nga përditshmëria e tyre temën e Urës së Ibrit, hapjen e të cilës e kanë lajmëruar për dita-ditës dhe më së largu “këtë verë”.

Kështu ishte dje edhe me të krye-deleguarin-lajmëtar, Mefail Bajqinovco – Ura e Ibrit për të cilin përbënte kryeangazhimin online.

A ndërruan hesapet pas vizitës së Burns?

Aktualisht “nuk bëhet fjalë” për hapjen e Urës së Ibrit, rezonoi deklarata e fortë e ambasadorit gjerman Jorn Rohde.

Ky konstatim i prerë i Rohdes u tha në fjalë të zhveshura nga zhargoni diplomatik dhe përzbutjet kuptimore të zakonshme të diplomatëve.

Këto oktava dukshëm më të larta në deklarime publike erdhën vetën dy ditë pas zbarkimit në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë të shefit të CIA-s, William Burns.

Duke folur sot për RTK-në, Rohde iu referua “shqetësimeve të sigurisë” që burojnë nga hapja tjesht-ashtu e Urës së Ibrit – e dhënë për “çështje të mbyllur, vendim të marrë” nga qeveria kosovare.

Për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë”, u shpreh Jorn Rohde, i cili një ditë më parë edhe u prit në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen”.

Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje”, tha ai.

Rohde e dha hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve si një proces (ri)vlerësimi mes Qeverisë së Kosovës dhe hisedarëve të sigurisë, KFOR-it dhe atyre politik, QUINT-it.

Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë. Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes qeverisë me Perëndimin, vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bënë të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, konstatoi Rohde.

Lajme të ngjashme