NATO "po i ndjek nga afër deklarimet e vazhdueshme" të Kurtit për krijim të Xhandarmërisë së Kosovës
Organizata e Atlantikut të Veriut (NATO) ka reaguar me rezervë ndaj synimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për të krijuar Xhandarmëri.
Në një përgjigje me shkrim për gazetën Nacionale, NATO nuk e komentoi propozimin si të tillë, por iu referua si "deklarata të vazhdueshme" që po i ndjek "nga afër."
"Ne po ndjekim nga afër deklaratat e vazhdueshme nga Institucionet në Kosovë për këtë çështje. U takon atyre të komentojnë më në detaje," tha një zëdhënës i NATO-s për Nacionale.
Aleanca theksoi se pret nga Kosova "të vazhdojë me qasje bashkëpunuese, duke koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në siguri dhe stabilitet rajonal."
Ndërkohë, Albin Kurti, ushtrues detyre i kryeministrit, u takua dje me Zv/Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Partneritete në NATO.
Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se Kurti "i shpjegoi konceptin dhe nevojën" për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës.
Zotimi elektoral i Vetëvendosjes
Xhandarmëria është një nga zotimet e reja senzacionale të Vetëvendosjes në fushatën zgjedhore. Kjo forcë do të jetë, sipas tyre, "më shumë se polici, më pak se ushtri."
Detyrat e saj të deklaruara përfshijnë ruajtjen e kufirit afër 400 kilometërsh me Serbinë, luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Kurti në KTV, tha se xhandarmëria do të krijohet "në mandatin katërvjeçar."
Ai e përshkroi si forcë kufitare.
Kur gazetari e sfidoi mbi ekskluzivitetin e KFOR-it në ruajtjen ushtarake të kufirit, Kurti tha se "do ta bëjmë në bashkëpunim me NATO-n."
Ministri Xhelal Sveçla nënshkroi menjëherë themelimin e grupit punues.
Sipas tij, xhandarmëria do të garantojë "prezencë të fuqishme shtetërore" dhe do të merret me menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë.
Vetëvendosja, megjithatë, e preu nga klipi i shpërndarë në Facebook pjesën ku Kurti foli për bashkëpunimin me NATO-n.
Opozita e sheh veçse si "propagandë" dhe "instrument shtypjeje"
Bekë Berisha i AAK-së e hodhi poshtë kategorikisht.
"As nuk duhet, e as nuk do të bëhet," tha Berisha për Nacionalen.
Ai e cilësoi xhandarmërinë si "agjenci paraushtarake" që Vetëvendosja dëshiron ta ketë si forcë të vet, të ndikueshme politikisht.
"Këto janë instrumente të frikshme të kontrollit dhe shtypjes," tha Berisha. Sipas tij, qëllimi i vërtetë nuk është mbrojtja e kufijve, por ruajtja e pushtetit.
"E tash këtë e shesin si propagandë për kinse po dojmë me mbrojtë Kosovën prej Serbisë, por qëllimi është me rujt pushtetin e vet," tha Berisha.
Ganimete Musliu e PDK-së e vuri propozimin në rrafshin e dështimeve ekonomike të qeverisë.
"Pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po na shitet edhe 'Xhandarmëria' si sukses i madh," shkroi Musliu.
Ajo tha se qytetarët kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve dhe siguri reale, "jo për propagandë të re."
"Na duhen uniforma të reja për policët, këpucë të papërshkueshme nga uji, sigurime shëndetësore dhe paga të dinjitetshme," shtoi Musliu.