Musliu flet pas raportimit të shefit të AKI-së në Komision: Po ndërtohet një bazë ushtarake afër kufirit me Kosovën
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, është deklaruar për medie pas raportimit të shefit të AKI-së, Petrit Ajeti në këtë Komision.
Musliu siç raporton Ekonomia Online, ka thënë se në takim është biseduar për sigurinë pas sulmit në Banjskë.
Ajo ka lavdëruar punën e AKI-së në rastin e sulmit terrorist në Banjskë.
“Dua të theksoj me bindje të plotë se AKI së bashku me forcat e rendit në krye të detyrës në mbrojte të vendit. E kam potencuar se siguria e vendit është mbi interesat partiake. Kishte pretendim të mbajtjes së tensioneve dhe të krijonte tensione në Kosovë. Anëtarët e AKI e kanë dëshmuar profesionalizmin dhe në bazë të fakteve që janë paraqitur, grupet terroriste kanë hyrë përmes rrugëve ilegale.” – ka thënë ajo.
Musliu ka thënë se Serbia po ndërton një bazë ushtarake në kufi me Kosovën.
“Janë vërejtur ushtri në kufi, është konfirmuar se në zonën e njohur e Izovorit, po ndërtohet një bazë ushtarake. Por, kjo po ndërtohet në afërsi me kufirin me Kosovën. Pamjet me dronë kanë konfirmuar këtë. Gjendja e sigurisë është e brishtë dhe e tensionuar, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo provokimi të mundshëm.” – ka bërë thirrje ajo.
Raportimi i shefit të AKI-së në këtë Komision u mbajt me dyer të mbyllura.
