"Mund të dekurajojë investitorët": Odat ekonomike të shqetësuara për veprimet e Qeverisë pa aleatët - NACIONALE

"Mund të dekurajojë investitorët": Odat ekonomike të shqetësuara për veprimet e Qeverisë pa aleatët

1 vit më parë

nga NACIONALE

"Dekurajim të investitorëve potencialë, e frikë tek bizneset" – janë disa nga shqetësimet që janë ngritur nga odat ekonomike, pas diskutimeve që po bëhen për hapjen e urës së Ibrit dhe mundësive për tensione nëse kjo çështje nuk koordinohet me aleatët. Oda Ekonomike Amerikane e Aleanca Kosovare e Bizneseve janë shprehur të shqetësuar se mund të ketë ikje të investitorëve.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit por në përgjithësi situata në veri të vendit, ka ndikuar në mungesën e sigurisë për investitorët e huaj për investime në Kosovë. Çdoherë i është bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për kujdes në deklarime që shkaktojnë frikë, e njëjta gjë po kërkohet edhe tash.

Oda Ekonomike Amerikane në një komunikatë për medie ka shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e Qeverisë Kurti që sipas tyre “të cilat nuk janë koordinuar me aleatët dhe partnerët strategjikë

E moskoordinimi me aletatë, sipas Odës amerikane, mund të çojnë në dekurajim të investitorëve potencialë si dhe pasoja në aspektin ekonomik të vendit.

“Veprimet e pakoordinuara, veçanërisht ato që janë në kundërshtim me këshillat e aleatëve kryesorë, rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe të dobësojnë pozitën e saj në negociatat e rëndësishme. Ato gjithashtu mund të krijojnë një mjedis pasigurie që mund të dekurajojë investitorët potencialë, të cilët kërkojnë garanci se klima politike dhe ekonomike është e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme në përparimin e Kosovës dhe çdo cenim i kësaj mbështetjeje mund të ketë pasoja me shtrirje të gjerë, si për ambiciet diplomatike ashtu edhe për ato ekonomike të vendit.” – thuhet në komunikatën e tyre.

Ndërkohë, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka, ka thënë se ka raste ku kompani amerikane po shmangin bashkëpunimin me kompani nga Kosova si pasojë e shqetësimeve që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës.

Gjithashtu edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka reaguar duke thënë se bizneset janë të frikësuar nga veprimet e pakoordinuar të Qeverisë me aleatët.

“AKB ngrite shqetësimi dhe friksimin në emër të komunitetit të biznesit për veprimet dhe deklarimet e qeverisë se Kosovës të pa koordinuar mirë me partnerët tradicional USA dhe EU, të cilët janë pjesë e çdo procesi të mire që i ka ndodhë vendit tonë nga viti 99 e deri më sot. Qeveria duhet të mendon mirë për humbje e mbështetje nga komunitetit ndërkombëtar e jo për një grushtë vota më shumë a më pak në Kosovë.” – thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, AKB ka rikujtuar se sanksionet që janë vendosur ndaj Kosovës largojnë edhe më tej investitorët e huaj.

“Investitorët e huaj do të jenë më larg nga Kosova nëse ende do të ballafaqohemi me sanksione ekonomike dhe politike nga faktori ndërkombëtar si EU dhe USA. Qeveria të ndegjoi zërin e komunitetit të bizneset për zhvillim ekonomik e të faktorit ndërkombëtar për atë politik e integrues së Kosovës.” – thuhet në këtë reagim.

Në anën tjetër, kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka filluar me përgatitje për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Hapja e urës po kundërshtohet nga aleatët e Kosovës, në këtë rast nga SHBA-ja, por edhe nga BE-ja.

Lajme të ngjashme