Mrekullitë ndodhin akoma, shpëtohet i gjallë 12 ditë pas tërmetit të tmerrshëm në Turqi dhe Siri
Pas tërmetit shkatërrues në zonën kufitare turko-siriane, numri i viktimave vazhdon të rritet. Fatkeqësia e rëndë natyrore ka marrë tashmë mbi 47,000 jetë. Së fundmi, Turqia raportoi rreth 41,000 vdekje, Siria regjistroi 5,900 vdekje. Shpresa për të gjetur më shumë të mbijetuar në rrënoja po pakësohet nga e dyta. E megjithatë një mrekulli e vogël ndodh gjithmonë.
Mëngjesin e 6 shkurtit, një tërmet me magnitudë 7.7 ballë goditi rajonin, i pasuar menjëherë nga një lëkundje me magnitudë 7.6 ballë. Agjencia e mbrojtjes civile Afad ka regjistruar mbi 2,400 pasgoditje deri më sot. Autoritetet kanë frikë se ka mijëra viktima të tjera nën rrënoja. Sipas Kombeve të Bashkuara, numri mund të rritet në mbi 50,000 vdekje. 26 milionë njerëz në Turqi dhe Siri kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare, të paktën shtatë milionë fëmijë janë prekur. Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së, e përshkroi tërmetin si fatkeqësinë më të keqe natyrore në rajon në një shekull.

Në shumë vende kërkimi për të mbijetuar tashmë është ndalur. Pas kaq shumë ditësh, është pothuajse e pamundur të dalin njerëz që janë ende gjallë.
Por ka njerëz që nuk dorëzohen. Dhe ende duket se ia vlen. Edhe 12 ditë pas katastrofës, disa ndihmës arrijnë të çlirojnë të gjallë burra, gra dhe fëmijë nga ndërtesat e shembura. Janë këto momente të vogla lumturie dhe mirënjohjeje që u japin popullit të Turqisë dhe Sirisë forcë të pabesueshme.
Ata fituan betejën me kohën
Sipas raportimeve të mediave turke, tre të mbijetuar të tjerë u shpëtuan nga rrënojat në Hatay mëngjesin e sotëm: Samir Muhammed Accar, Ragda Accar dhe fëmija i tyre 12-vjeçar fituan luftën kundër kohës. Ata qëndruan të varrosur për 12 ditë, 296 orë.

Gjithashtu në Hatay, 45-vjeçari Hakan Yasinoglu u çlirua nga rrënojat e një ndërtese të shembur mbrëmjen e së premtes. Ai kishte pritur për shpëtimin e tij për 278 orë.
Të enjten në mbrëmje dhe të premten në mëngjes, tre persona të tjerë u liruan të gjallë në qendër të Antakyas: 14-vjeçari Osman Halebiye, Mehmet Ali Sakiroglu (26) dhe Mustafa Avci (34). Ata mbetën nën rrënoja për 261 orë.
Edhe në Kahramanmaras ndihmësit mezi e besonin fatin: Pas 258 orësh, 29-vjeçari Neslihan Kilinc u shpëtua i gjallë. Vetëm pak orë më parë, 17-vjeçarja Aleyna Olmez u shpëtua pak metra larg pas 248 orësh. Pas respektivisht 227 dhe 222 orësh, pritjes së dhimbshme mori fund edhe për Cemile Kekec (74) dhe Melike Imimoglu (42). Të gjithë bënë të pamundurën, i treguan botës se mrekullitë ende ekzistojnë.

Ka pasur edhe momente lumturie në Adiyaman. Fatma Gungor (77) mbijetoi 212 orë në rrënoja. Ajo u gjet pasi një ekip shpëtimi përdori një aparat fotografik termik.
Sipas ekspertëve, 24 orët e para pas një fatkeqësie të tillë janë shumë më të rëndësishmet kur bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve. Pas 72 orësh, shanset e mbijetesës për njerëzit që mund të dalin të gjallë vlerësohen të jenë jashtëzakonisht të ulëta.
Fakti që të mbijetuarit janë ende duke u shpëtuar në Turqi kufizohet me një mrekulli të vërtetë. Por janë pikërisht këto mrekulli që i ndihmojnë njerëzit të mos heqin dorë kurrë nga shpresa. /Nacionale/