Mori pjesë në fjalimin e Putinit: Kush është Bratislav Zhivkoviq, "komandanti i çetnikëve" në Serbi?
Dje, presidenti i Rusië, Vladimir Putin, mbajti një fjalim të gjatë, para shumë personave në Moskë, dy ditë para se të përkujtohet një vjetori i nisjes së pushtimit të Ukrainës. Në këtë fjalim, që ishte mbushur me kritika ndaj Perëndimit, mori pjesë edhe një serb.
Bratislav Zhvikoviq ishte ndoshta serbi i vetëm që dje ishte i pranishëm në fjalimin dy orësh të Putinit. Siç shkruan gazeta N1, që është opozitare e regjimit të Vuçiqit, Zhivkoviq shkroi në një postim të hënën, se ishte i ftuar në fjalimin e Putinit si pjesëmarrës në “operacionin special” në Ukrainë, ashtu si i referohet Rusia pushtimit të Ukrainës.
Në Facebook, Zhivkoviq thekson se ai është “i vetmi komandant serb që organizoi bataljonin çetnik dhe e dërgoi në Krime në vitin 2014”, shkruan N1. Tutje, gjithashtu ai thekson se në të njëjtin vit ka marrë pjesë "në mbrojtjen e qytetit të Luhanskut, dhe në vitin 2018 në mbrojtjen e qytetit të Donetsk, raportonte Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
I njohur si komandant i lëvizjes çetnike në Serbi, Zhivkoviq ishte arrestuar në vitin 2018 me urdhër të prokurorisë, për shkak të dyshimeve të bazuara se kishte organizuar dërgimin e personave për pjesëmarrje në luftën në Krime.

Megjithatë, në prill 2019, prokuroria pezulloi hetimet ndaj Zhvikoviçit, i cili nuk u ndoq kurrë penalisht për organizim ose pjesëmarje në konflikte në fushat e betejës në Ukrainë.
“Në Ukrainë, Zhivkoviq u hetua nga Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës së bashku me pesë shtetas të tjerë të Serbisë, për kryerjen e sulmeve ndaj forcave ukrainase në rajonet Donetsk dhe Lugansk në anën e separatistëve pro-rusë si pjesë e ekstremit të djathtë ndërkombëtar” – shkruan REL në gjuhën serbe.
Ndërsa REL në gjuhën angleze, raportonte se ai ishte deportuar nga autoritetet e shtetit të Rumanisë.
"Rumania ka dëbuar një nacionalist serb pro-rus dhe ia ka ndaluar të hyjë në vendin e NATO-s për 15 vjet pasi ai dyshohet se u përpoq të merrte informacion të klasifikuar mbi instalimet dhe infrastrukturën ushtarake, tha shërbimi i inteligjencës SRI më 14 nëntor." - raportonte REL.
Ndryshe, Putini dje pretendoi se Perëndimi kurrë nuk i ka ndaluar përpjekjet për t’i vënë në zjarr shtetet ish-sovjetike përmes mjeteve të shtypjes ekonomike, raporton televizioni BBC. Tutje, Putini foli edhe për planet e pushtetit për të ardhmen e infrastrukturës, duke i përmendur zgjatjen e autostradave nga Moska në Kazan si dhe me Mongolinë e Kinën për t’i shtuar lidhjet e Rusisë me Azinë Lindore.
Presidenti rus deklaroi në fjalimin e gjatë se dëshiron që të zhvillojë një korridor veri – jug, duke i përmirësuar lidhjet me Indinë, me Iranin dhe me Lindjen e Mesme.

