Indeksi Kombëtar i Sigurisë Kibernetike: Shqipëria e parë në botë, Kosova e 88-ta - NACIONALE

Indeksi Kombëtar i Sigurisë Kibernetike: Shqipëria e parë në botë, Kosova e 88-ta

51 minuta më parë

nga NACIONALE

Ndryshe nga Kosova e cila renditet e 88-ta, Shqipëria është renditur e para në botë me 98.33 pikë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI).

Shqipëria ka lënë pas shumë shtete të fuqishme, si Gjermania dhe Finlanda, duke arritur të renditet në vendin e parë në këtë indeks.

Ndërkohë, dallimi me Kosovën është i madh. Kosova renditet në vendin e 88-të në botë, me 50 pikë në NCSI. Të dhënat e indeksit tregojnë se Kosova ka ende boshllëqe në disa prej fushave kryesore të sigurisë kibernetike.

NCSI mat përgatitjen e shteteve për parandalimin e kërcënimeve kibernetike dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike.

Vlerësimi përfshin fusha si politikat dhe strategjitë kombëtare të sigurisë kibernetike, mbrojtjen e shërbimeve thelbësore, menaxhimin e incidenteve, zhvillimin e kapaciteteve si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Arritja e Shqipërisë është veçanërisht e dukshme duke pasur parasysh pozitën që kishte vetëm disa vite më parë. Nga vendi i 54-t në vitin 2023, Shqipëria është ngjitur fillimisht në mesin e 15 vendeve më të mira dhe tash ka kaluar në krye të renditjes botërore.

Ky rezultat e vendos Shqipërinë përpara shumë shteteve me kapacitete të zhvilluara teknologjike dhe institucionale dhe përbën një nga përmirësimet më të mëdha të vendit në fushën e sigurisë kibernetike në vitet e fundit.

Lajme të ngjashme