“Moment vendimtar”, “Zyrtarizim i propozimit”: Borrell e Lajçak me fjalë të mëdha për takimin Kurti-Vuçiq - NACIONALE

“Moment vendimtar”, “Zyrtarizim i propozimit”: Borrell e Lajçak me fjalë të mëdha për takimin Kurti-Vuçiq

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak të hënën e 27 shkurtit do të jenë nikoqirë të një takimi të nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Dhe…pritshmëritë për takimin, duket t’i kenë të larta. Çka deklaruan ata sot?

Kosova e ka pranuar planin evropian të mbështetur të gjitha vendet e bllokut, dhe kjo është konfirmuar tashmë nga emisari Lajçak.

Serbia ndërkaq, nuk ka treguar deri më tani qëndrimin e saj të qartë rreth këtij propozimi për një marrëveshje me Kosovën, megjithatë, diplomatët evropianë presin që kjo të ndodhë të hënën.

Çka tha Lajçak?

Fillimisht, vlen të përmendim një deklaratë të dhënë sot nga emisari Lajçak për mediumin “Tanjug”, ku tha fjalë të mëdha.

Ai madje, foli edhe për pranimin publik të këtij plani, i cili u vendos nëpër tavolinat e liderëve në shtator të vitit që lamë pas.

“Tash ka ardhë koha që ata ta pranojnë zyrtarisht edhe publikisht propozimin (planin franko-gjerman) dhe pastaj të diskutojnë zbatimin e tij,” – ka thënë Lajçak.

Borell pret rezultate pozitive

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, po ashtu duket të ketë shpresa të mëdha sa i përket takimit, duke lënë të kuptohet se pret “rezultate pozitive” në javët në vazhdim.

Këto deklarata, Borell i bëri gjatë konferencës së Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, ku kah fundi i deklarimit të tij, foli për dialogun mes dy vendeve.

Ai e ka përmendur se javën tjetër do të mbajë një takim me të dyja palët, derisa e bëri të qartë se pret angazhim.

“Dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve është në një moment vendimtar…Unë do të pres të dyja palët në Bruksel javën e ardhshme dhe shpresoj që ata të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi unike…“Shpresoj që javët në vazhdim mund të ofrohen rezultate pozitive.” – ka thënë ai.

Borell foli për takimin edhe para disa ditësh në një prononcim për DW, ku mes tjerash deklaroi: “Unë do të takohem me ata të dy në Bruksel më 27 shkurt. Dhe i ftova të vijnë dhe të diskutojmë një ditë të tërë sepse kemi një propozim në tryezë, dhe shpesoj që ata mund të pranojnë këtë propozim si rrugë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre”.

Çka ndodhë të hënën?

Sipas njoftimit të fundit të publikuar në faqen zyrtare të shërbimit të jashtëm të BE-së, takimi pritet që të fillojë në orën 15:00.

Fillimisht, para kësaj do të mbahen takime të ndara me të dy liderët, ku do të jetë i pranishëm edhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në fund, është bërë e ditur se kryediplomati Borell do të deklarohet para mediave, derisa është publikuar edhe linku ku do të transmetohet direkt.

Siç edhe është treguar më parë, një prej çështjeve në të cilën do të fokusohet takimi, është propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajme të ngjashme