Lajçaku tha se "pret zyrtarizim" të pranimit të planit franko-gjerman: A do të nënshkruajë në Bruksel Albin Kurti? - NACIONALE

Lajçaku tha se "pret zyrtarizim" të pranimit të planit franko-gjerman: A do të nënshkruajë në Bruksel Albin Kurti?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

17 shkurti është dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por, 27 shkurti po ashtu mund të përfitojë rëndesë historike nëse, siç po thuhet, do të ketë nënshkrim apo zyrtarizim të pranimit të propozimit franko-gjerman (evropian).

Së fundi, ishte i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Llajçak, ai që mund të ketë forcuar edhe më shumë zërat që e potencojnë rëndësinë e këtij takimi.

“Tash ka ardhë koha që ata ta pranojnë zyrtarisht edhe publikisht propozimin (planin franko-gjerman) dhe pastaj të diskutojnë zbatimin e tij,”u shpreh z. Lajçak për Tanjug, përcjell Kosovo-Online.

Çka thonë akterët vendorë?

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka nënkuptuar sot gjatë ditës se të hënën e 27 shkurtit, kryeminsitri do të nënshkruante propozimin në fjalë, duke pasur edhe kritika për një gjë të tillë.

“Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën Kryeministrk Kurti do të nënshkruajë asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik.” – argumentoi znj. Çitaku.

Nga ana e Qeverisë së Kosovës, apo nga ana e partisë në pushtet Vetëvendosje, nuk ka pasur një përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me deklaratat e dhëna nga Çitaku apo nga z. Lajçak.

Megjithatë, Qeveria e ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Serbia

Pozicioni i Serbisë, ndërkohë, është edhe më larg fjalëve që shprehin mundësinë për nënshkrim apo zyrtarizim më 27 shkurt.

Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme, gjatë ditës së djeshme u shpreh se nuk do të kishte negociata në lidhje me propozimin franko-gjerman pa u formuar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Me eskalimin e situatës në Ukrainë, fokusi i komunitetit ndërkombëtar dhe përpjekjet për të zgjidhur statusin e provincës tonë jugore janë rritur. Për shkak të një politike të mençur, ne e kemi formuar një pozicion të fortë negociues, sipas të cilit nuk mund të ketë negociata për asnjë propozim të ri pa u formuar Asociacioni i Komunave Serbe,”u shpreh z. Daçiq në fjalën e tij.

Borrelli

Kryediplomati Josep Borrell po ashtu e ka konfirmuar takimin, duke thënë që shpresonte se palët do ta pranonin takimin, por duke mos përmendur mundësinë e nënshkrimit apo si në rastin e Lajçakut, të zyrtarizimit.

“...Unë do të takohem me ata të dy në Bruksel më 27 shkurt. Dhe i ftova të vijnë dhe të diskutojmë një ditë të tërë sepse kemi një propozim në tryezë, dhe shpresoj që ata mund të pranojnë këtë propozim si rrugë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre.” – tha ai.

Lajme të ngjashme