Mjeku që e bojkotoi punën më 2021 emërohet drejtues i Kardiokirurgjisë
Pas skandalit në Klinikën e Kardiologjisë, ku një pacient vdiq pasi i ishte nënshtruar një operacioni të rrallë, i cili paraprakisht u proklamua si suksesshëm, SHSKUK-ja ka shkarkuar drejtuesin e Klinikës, Rifat Brahimaj, i cili u përfshi në akuza të ndërsjellta me me kardiorgun operator Kushtrim Shala.
Mirëpo, siç raporton KTV, drejtor i ri është caktuar Shpejtim Shurdhiqin, i cili sipas raportimeve të televizonit e kishte bojkotuar punën në vitin 2021 për shkak të pakënaqësive me menaxhmentin.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se pas analizës së situatës së fundit në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, është liruar nga detyra e ushtruesit të detyrës së drejtorit dr. Rifat Brahimaj. Ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QKUK është caktuar dr. Shpejtim Shurdhiqi”, njoftoi SHSKUK-ja.
Megjithatë, Shurdhiqi, sa ishte specialist, së bashku me tre kardiologë të tjerë në maj të vitit 2021, pati bojkotuar punën pas pakënaqësive që kishte me menaxhmentin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, ku pretendonte se ushtrohej presion ndaj tij dhe se ishte ofenduar. Për këtë e pati njoftuar edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Por, sipas burimeve të KOHËS, ministri Vitia u kishte thënë të dorëhequrve se kjo paraqet vepër penale dhe nëse nuk fillojnë punën do të detyrohej të dërgonte rastin në organet e hetuesisë.
