“Operacioni me sukses, pacienti vdiq”: Dramë e akuza mes mjekëve për rastin e çuditshëm në Kardiologji - NACIONALE

“Operacioni me sukses, pacienti vdiq”: Dramë e akuza mes mjekëve për rastin e çuditshëm në Kardiologji

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kardiokirurgu Kushtrim Shala ka shpërndarë në Facebook-un e tij punën e bërë në QKUK, ku ka pretenduar se ka kryer me suksese operaconin diseksion akut të aortës. Disa orë pas intervenimit të kryer, siç raportoi Gazeta Shneta pacienti kishte ndërruar jetë. Ky i fundit ka dalë me një sqarim, mes debateve të shumta në lidhje me këtë rast.

Shala përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se pasi nuk iu dha mundësia që të bëj diksutim me kolegjiume profesionale , i është drejtuar mediave.

“Pasi nuk mu dha mundësia që të bëj diskutim në kolegjiume profesionale që rëndom bëhen në çdo qendër të mirëfillt kardiokirurgjike,po ju drejtohem edhe unë mediave në cilësinë e Kardiokirurgut operator dhe njëherit kujdestar në kardiokirurgji me daten 03.01.2023. Për dallim nga ushtruesi I detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë Rifat Brahimaj i cili pa qenë fare prezent dhe pa patur fare idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit, pa kontaktuar fare me mua si kardiokirurg operator dhe pa kërkuar sqarim për rrjedhjen e operacionit (që ka të drejtë t’a bëj në cilësinë e u.d. drejtorit) thërret mediat dhe u flet per operacionin tim e madje dhe këtë e bënë duke qenë në pushim vjetor.” – ka thënë ai.

Veç kësaj, ai konfirmoi se familjarëve u janë bërë të ditura të gjithë detaje në lidhje me gjendjën e pacientit, e madje tha se ka kërkuar edhe asistencë nga një mjek tjetër.

“Famijareve u janë sqaruar të gjitha detajet lidhur me gjendjen e tij dhe arsyeshmërinë e intervenimit kirurgjik. Të cilët kanë juridikisht kanë pranuar, që të kryhet intervenimi. Pas përgatitjes për operim kam kërkuar asistencë nga mjeku në gadishmeri dr. Endrit Shala, i cili i është përgjigjur thirjes menjëherë,” – shkroi ai.

Policia po e trajton "informatën"

Nacionale ka kontaktuar zëdhënësen e policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, e cila na konfirmoi se janë duke u marrë në koordinim me prokurorinë dhe institucionet tjera.

“Jemi duke e trajtuar këtë informatë në koordinim me prokurorinë dhe institucionet e tjera përkatëse." - tha ajo.

Veç kësaj, gjatë ditës u bë e ditur se rasti po hetohet edhe nga Inspektorati Shëndetësor.

Dramë e akuza

Rreth kësaj ka reaguar, drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, i ka quajtur jokompetentë e të papërvojë mjekët që kryen intervenimin në zemrën e pacientit. Ai ka kërkuar hetim.

“Duhet të bëhet vlerësim i rastit. Duhet të hetohet pse është kryer një operacion i tillë nga një kirurg i cili nuk ka pasur përvojë. Duhet të shikohet rasti dhe të ndërmerren masa konform rregulloreve. Ka qenë kujdestar dhe personi vetë vendos për çfarë lloj operacioni, por sigurisht duhet të raportojë më pas dhe të hetohet nëse ka pasur shkelje”, ka thënë Brahimaj.

Për deklaratën e drejtorit pat shumë reagime, e njëri që reagoi ishte edhe kardiologu, Gani Bajraktari, i cili ka dalë kundër drejtorit Brahimaj, duke e mbrojtur Kardiokirurgun Shala.

Bajraktari ka shkruar se pacienti nëse nuk do të operohej, shansat për të shpëtuar i kishte zero, ndërsa nëse do të operohej shansat për të shpëtuar i kishte 50%.

“E ç’bëri Kushtrimi i shkretë: gjënë e vetme që duhej ta bënte - të fuste në sallë pacientin e pafat, i cili nëse nuk operohej shansat i koshte zero për të shpëtuar, e nëse operohej i kishte shansat mbi 50% që të shpëtonte! Përditë kemi raste të tilla në kardiologji tek pacientët me infarkt akut dhe shok kardiogjen, që nëse NUK e fusim në sallë pacienti vdes gati 100%, e nëse e fusim në sallë shanset për të shpëtuar janë rreth 50%! Gjithmonë, personalisht rekomandoj opsionin e dytë, ani pse mos futja në sallë e një pacienti të tillë që 100% do vdes, do më ”shfajësojë” tek opinioni i kontaminuar mjekësor e jo-mjekësor në Kosovë!”, ka shkruar ai.

Bajraktari ka treguar se Shala ka qëndruar 10 orë në operacion për të shpëtuar një jetë dhe sipas tij janë 1001 arsyeje pse ka vdekur pacientë, që shpesh as obduksioni nuk i zbulon.

“Kulmi ishte deklarata NË MEDIA e drejtorit të Kardiorirugjisë: një deklaratë e papjekur, shpirtngushtë, jo-etike, padëgjuar ndonjëherë! Ai akuzon mjekët e tij (që vet u kishte dhënë detyrë të operojnë rastet urgjente) se ata janë të papërvojë dhe se duhet të hetohen! Mirë more derëzi, po nëse paskan qenë të papërvojë pse i fute në kujdestari për raste urgjente?? Po nëse kanë bërë shkelje prpfesionale, pse nuk i dërgon në Këshill Etik, po iu flet mediave? Pse e dëmton kaq rëndë shtëpinë tënde? Gabim i madh Rifat! Gabimin më të madh se tëndin, mund të bëjnë vetëm drejtoresha e SHSKUK, nëse nesër nuk të shkarkon, dhe Prokurori i Odës së Mjekëve nëse nesër nuk fillon hetimt ndaj teje!” - ka shkruar ai.

Pas këtij rasti, ka reaguar edhe Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës, i cili ka thënë se ky rast fillimisht duhet të hetohet e pastaj të gjykohet.

Kodra ka treguar se sipas ekspertëve, pacientët me sëmundjen akut të aortës në shmicën e rasteve vdesin.

“Sipas ekspertëve, pacientët me diseksion akut të aortës në shumicën e rasteve mund të vdesin! Me shumë gjasa edhe tek rasti i fundit do të ndodhte njësoj në cilindo version që mund të operohej. Por, fakti se ky rast është bërë me një metodë të re dhe se drejtori i klinikës thotë se nuk kanë eksperiencë për të, duhet të hetohet. Por është shumë e rëndësishme që fillimisht të hetohet e pastaj të gjykohet, jo e kundërta. Po pres që institucionet me thënë fjalën e tyre sa më shpejtë të jet e mundur...” - ka shkruar Kodra.

Lajme të ngjashme