Ministria e Mjedisit nuk mban premtimin, nuk ka çmim për qeset e plastikës - NACIONALE

Ministria e Mjedisit nuk mban premtimin, nuk ka çmim për qeset e plastikës

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës tash e një kohë kishte deklaruar se nga data 1 janar 2023, qeset e plastikes në Kosovë do të bëhen me pagesë. Ani pse kjo datë tashmë ka kaluar, qeset e plastikes vazhdojnë të mos kenë çmim në vendin tonë.

Zëdhënësja e kësaj ministri, Linda Çavdarbasha ka thënë për Gazetën Nacionale se në këtë udhëzim administrativ kanë hasur disa mangësi për rregullimin e këtij sistemi.

Duke mos dhënë një afat kohor se kur do të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ, Çavdarbasha ka treguar se pas ndryshimeve të bëra, udhëzimi administrativ duhet edhe njëherë të dalë në diskutim publik dhe pastaj të shkojë në Qeveri.

“Ky udhëzim administrativ për ambalazh dhe mbeturinat e ambalazhit nuk rregullon vetëm çështjen e qeseve të plastikës, por edhe sistemin e rimbursimit të depozitave për shishet [xham, kanaçe dhe plastikë] dhe te kjo pjesë kemi hasur disa mangësi për rregullimin e të këtij sistemi. Andaj, jemi detyruar që ta shtyjmë miratimin e këtij udhëzimi derisa sa të rregullojmë dhe pjesën tjetër. Vendosja e një çmimi për qese të plastikës do të jetë fazë tranzitore, pasi që synimi është që në të ardhmen të largohen nga përdorimi qeset e plastikës,” - ka thënë ajo për gazetën.

Ani pse vlerësohet si një vendim i mirë që qeset e plastikes të bëhen me pagesë, disa nga qytetarët shprehen kundër kësaj.

“Po bre, vetëm edhe qeta e kem pas që na ka mungu. Njeri shkon market shpenzon një shumë për me ble gjëra ushqimore dhe ato të nevojshme, e tash me shpenzu edhe për qeset. Shyqyr që nuk e paskan bo këtë gjë. Ani pse qeset janë të dëmshme për natyre, ato nuk kanë kapacitet mu bo me pagës,” - ka thënë për Nacionalen Qerim Himaj nga Prishtina.

Ndryshe nga ajo ka menduar, Liridon Binaku, i cili ka thënë për Nacionalen se qeset e plastikes janë kudo në natyrë, dhe i njëjti ka thënë se do të ishte mirë nëse do të bëheshin me pagesë.

“Ish kon shumë mirë mu bo me pagës atëherë qytetarët ja kishin dit vlerën. Frymën janë tu na nxon. Ka të rrotullohesh ka qeset. Duhet shumë vjet me kalu edhe qeset në tokë nuk mundet me kalbë,” - ka thënë ai.

Drejtori i “Let’ s Do It Kosova”, Luan Hasani, organizatë kjo që bënë pastrimin e ambientit, ka thënë se është vendim i ngutshëm i ministrisë që qeset e plastikës të bëhen me pagës.

Sipas Hasanit, edhe po të hynte në fuqi ky udhëzim administrativ, mënyra se si është tentuar të bëhet nuk do të implemtohej.

“Mendimi im është që ministria është ngutur në këtë rast, pavarësisht qëllimit të mirë për të marrë vendime që e ndihmojnë mbrojtjen e mjedisit. Konsideroj që paraprakisht nevojiten planifikime të menduara mirë dhe konsultime me njohësit e kësaj fushe. Si dhe me grupet e interesit. Mendoj që edhe po të hynte ne fuqi, me mënyrën se si është tentuar të behët nuk do implemtentohej. Ky është një proces që merr kohë dhe po ashtu kërkohet fushate informuese. Ne kemi pas kërkuar që një pjesë e mjeteve nga shitja e qeseve te jepen për aktivitete mjedisore. Mos të harroj, edhe pse jemi ndër organizatat me aktive në vend, Ministria e Mjedisit nuk ka kërkuar asnjëherë sugjerime prej nesh,” - ka thënë ani për Gazetën Nacionale.

E mira e gjithë kësaj megjithatë është se nuk do të ketë rritje çmimi të paktën në një produkt. Në qeset e plastikës që nuk do të kenë çmim.

Lajme të ngjashme