“Mimozë, a të tregoi Radojiçiq ku janë të zhdukurit e luftës”: Përfundon protesta, paralajmërohen tubime të tjera
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të tjerë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës kundër skandalit të përgjimeve mes shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe anëtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq si edhe ndaj pagës minimale. Në seancën e së enjtes deputetët e pushtetit në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për pagën minimale ku nga 130 dhe 170 euro është rritur në 264 euro, mirëpo duke i lënë jashtë veteranët.
Skandali me përgjime i shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq i publikuar gjatë kësaj jave në Gazetën Nacionale ishte njëra nga arsyet që qytetarët e Kosovës u mobilizuan në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për protestë.
Të ashpër ndaj Qeverisë janë shprehur veteranët e UÇK-së, kjo pasi që Ligji për pagën minimale ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, kështu duke bërë rritjen nga 130 dhe 170 në 264 euro, mirëpo duke i lënë ata jashtë.
Qytetarët në duar kanë mbajtur pankarta në të cilat mund të lexohen mbishkrime si: "Mimozë, a të kallxoi Radojiçiqi se ku janë 1600 të zhdukurit e luftës", dhe "Mimozë, ti fyji veteranët e Jabllanoviqi nënat e tyre"

Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa asnjë incident, gjithashtu janë paralajmëruar tubime edhe të tjera.
Para protestuesve sot në Prishtinë ka folur, Bajram Qerkini, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”.
Qerkini është shprehur mjaftë ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se nuk e dinë çfarë është liria dhe se ata dinë vetëm të gënjejnë.
“Ju jeni ata që jeni liria. Folni fort folni shlirë. Unë e di që krejt Kosova është për liri. Kush është ai që s’po i përkrah. O ju që po udhëheqin, ku jeni për këtë popull. Edhe diçka me ju thanë, ruajuni se nuk e dini çka është liria, ju dini veç me na rrejt. Tmerr po rrnojna, tmerr po jetojna. Kthejuni popullit, rehatojeni popullit. Ai që është për mos me e rahatu popullin, mos u rahatoftë në jastëkun ku flenë.” – ka thënë Qerkini.

Para protestuesve gjithashtu ka folur edhe i biri i një veterani të UÇK-së, i cili ka pyetur se a duhet të përshëndes në gjuhën shqipe apo atë serbe, duke iu referuar përgjimeve të publikuara mes Kusari-Lilës dhe Simiqit.
“A mju thanë mirëdita a Zdravo. Banuni bashkë me ia hekë votat deputetes, unë votoj për ideal, votoj për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.
“Kujdes kujt ia vendosni votën, buka e tjetrit nuk të vranë, buka jote po. Mos lejoni me u përsërit historia.” – ka thënë ai.
Daut Haradinaj nga AAK gjithashtu ka marrë pjesë në protestë, ku para nisjës ka thënë se nuk do të lejohet të nëpërkëmbën vlerat e luftës tek ata që e kanë luftuar Kosovën.
Haradinaj gjithashtu ka shtuar se presin reflektim nga institucionet si edhe kërkim falje për historinë e përgjimeve të kusari-Lilës dhe Simiqit.
“Nuk lejojmë që vlerat e luftës me u nëpërkëmbë aq më pak tek ata që e kanë luftu Kosovën. Më shumë jemi qytetarë, sesa organizim i partive politike. Presim reflektim nga institucionet. E para është një kërkim falje publike për historinë “Zdravo” dhe pastaj presidentja të mos e nënshkruaj atë ligj.” – është shprehur Haradinaj për Kanal10.