Millanoviq i ashpër me Brnabiqin: Korriere e Vuçiqit, pushoni më së foluri për spastrim etnik të serbëve në Kroaci
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, dje vizitoi Zagrebin dhe u prit nga homologu kroat i saj, Andrej Plenkoviq, ku folën për një numër “çështjes të ndjeshme dhe të hapura” mes Serbisë dhe Kroacisë. Ndërkaq sot, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq pati një mesazh të prerë ndaj Beogradit dhe rrugës së pretenduar drejt Bashkimit Evropian. Pa i vendosur sanksione Federatës Ruse, nuk do të ketë gjë në këtë drejtim, deklaroi presidenti kroat. Përveç kësaj, ai kryeministren serbe e quajti "korriere dhe zëdhënëse të Vuçiqit" derisa Beogradit iu drejtua me kërkesën që të ndalojnë së foluri për "spastrim etnik" të serbëve në Kroaci.
“Nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian, duhet t’i jep fund kësaj lloj marrëdhënie me Federatën Ruse, duhet me patjetër të vendos sanksione”, ka thënë Zoran Milanoviq, siç e citoi agjenioni kroat i lajmeve “Hina”.
Duke folur rreth takimit të kryeministrit kroat dhe kryeministres serbe, Milanoviq tha se e konsiderojnë rusofil derisa e vendosi veten në kundërthënie me kryeministrin Plenkoviq “i cili normalisht duhet të jetë duke bërë plane të mëdha e të mjegullta me njerëz të cilët janë platformë ruse në Evropë”, me këtë duke nënkuptuar kryeministren serbe, Ana Brnabiq, me të cilën u takua Plenkoviq.
“Brnabiq është zëdhënëse, ajo është korriere e Vuçiqit. Sigurisht, nuk e nënvlerësoj këtë, por duhet ta dimë se kush e luan atë rol”, tha Milanoviq, derisa i kërkoi Serbisë që “të ndalojnë së foluri për spastrik etnik në Kroaci”.
Çfarë u fol ndërmjet Plenkoviq dhe Brnabiq?
Këtë të dielë në Zagreb u prit Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, në një vizitë zyrtare nga Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Në atë çfarë u lajmërua nga autoritetet kroate, u diskutua për pakicën kroate në Serbi dhe anasjelltas. Plenkoviq u shpreh se “çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut” ndërsa Brnabiq foli edhe për “plagë të thella” në marrëdhëniet serbo-kroate.
Kohëve të fundit marrëdhëniet kanë qenë tejet të tensionuara ndërmjet Zagrebit dhe Beogradit, kryesisht për çështje të së kaluarës nga agresioni i Sllobodan Millosheviqit, çështja e Personave të Pagjetur për të cilët Kroacia insiston që Beogradi t’ia dorëzojë si dhe një nga aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Beograd ndaj disa pilotëve kroatë se gjoja në vitin 1995 kanë shtënë mbi një kolonë refugjatës serbë. Ishte në këtë kontekst që Brnabiq provoi të “zbus” tensionet në Zagreb.
Ususret Velike skupštine @SrpskoV, susret s premijerkom @anabrnabic. U dijalogu trebamo nastaviti rješavati otvorena pitanja i unaprjeđivati gospodarsku, prometnu i energetsku suradnju. Vodimo brigu o zaštiti hrvatske manjine u Srbiji, kao i srpske manjine u Hrvatskoj. pic.twitter.com/DeX89sFOTT
— Andrej Plenković (@AndrejPlenkovic) April 30, 2023
“Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë janë të rënduara me një numër çështjesh, keqkuptimesh, mosmarrëveshjesh, plagësh të thella dhe mosbesim të thellë, aq shumë sa që as një nga vizitat tona në Zagreb ose asnjë nga vizitat e zyrtarëve kroat në Serbi s’kanë qenë vizita të zakonshme, por gjithmonë më shumë se kaq, përfshirë edhe kjo e imja sot”, ka thënë Brnabiq, siç e citoi “Index.hr”.
Ndërkaq për vizitëne saj, ajo tha se “shpreson” të hap një dimension të ri bashkëpunimi, ndërsa shpjegoi edhe sa për çfarë kanë biseduar në takimin ndërshtetëror. “Folëm për projekte siç është rivendosja e trafiktu hekurudhor mes Beogradit, Zagrebit dhe Lublanës, por prekëm edhe të gjitha çështjet e hapura, pavarësisht se sa të ndjeshme janë ato, dhe se si të shkojmë drejt zgjidhjes”, tha Brnabiq.
Marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Serbisë kohëve të fundit
Marrëdhëniet ishin tensionuar skajshmërisht kur pa lajmëruar askënd Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte për synim të hynte në territorin kroat për të përkujtuar viktimat e Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac, gjë që shteti i Kroacisë ia kishte ndaluar për shkak të mënyrës së paraparë të vizitës dhe jo për shkak të vizitës.
Qeveria kroate ia bllokoi vizitën mbi bazën se vizita të tilla presidenciale duhet të jenë "pjesë e marrëveshjeve midis dy palëve". Autoritetet serbe reaguan menjëherë duke vendosur kufizime të ngjashme për të gjithë zyrtarët kroatë që udhëtojnë nëpër territorin e saj, duke kërkuar që ata të njoftojnë dhe shpjegojnë në mënyrë specifike vizitën ose kalimin e tyre nëpër Serbi. Vizita e presidentit serb më pas është shtyrë për të kërkuar një vizitë zyrtare.
Në tetor 2022, në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian në Pragë, Republika Çeke, Bashkimi Evropian, me kërkesë të Kroacisë, si pjesë e paketës së tetë të sanksioneve kundër Rusisë, kërkuan një ndalim shtesë të importit të naftës ruse në Serbi përmes portit kroat të Omišalj, nëpërmjet tubacionit të Adriatikut (JANAF), i cili shkaktoi një përplasje diplomatike mes dy vendeve.
Tabloidet serbe bënë fushatë kundër Kroacisë dhe acaruan marrëdhëniet e tyre politike, me akuzat ndaj Kroacisë për revanshizëm, serbofobi dhe fushata të vazhdueshme kundër udhëheqjes shtetërore serbe janë pasoja të mëtejshme të ngjarjeve të fundit./Nacionale/