"S'do të ndalen me Vullinin": Komentet në mediat serbe pasi kryespiuni u sanksionua nga Amerika?
Drejtori i BIA-s serbe Aleksandër Vulin është futur në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të veprimtarive korruptive e kriminale dhe veprimeve destabilizuese që çonin ujë në 'mullirin e Rusisë' gjatë kohës së invazionit të tmerrshëm në Ukrainë. Por, çka shkruajnë mediat serbe për këtë sanksionim amerikan?
Kështu ka bërë të ditur Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit.
Mediat serbe kanë raportuar se persona të shumtë kanë reaguar ndaj këtij vendimi për Vulinin.
Nënkryetari i Partisë Popullore në Serbi, Mirosllav Aleksiç, ka thënë për Danas se është i sigurt se Vulin nuk është anëtari i fundit i qeverisë së Serbisë që do të jetë nën sanksionet amerikane.
‘’Disa vende padyshim që po monitorojnë nga afër krimin dhe korrupsionin në Serbi, e cila është nën mbrojtjen e autoriteteve. Në asnjë vend normal nuk do të ishte e mundur që Vulin të ishte një nga njerëzit kryesorë në sistemin e sigurisë, sidomos pas kontakteve të drejtpërdrejta dhe miqësisë së tij me pronarin e fabrikës së marijuanës, Predrag Koluvia. Pas Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit, në listë ka hyrë edhe kreu aktual i BIA-s, jam i sigurt se nuk është i fundit i sanksionuar nga qeveria’’- ka thënë Aleksiç.
Në anën tjetër, presidenti i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në Serbi, Pavle Gërboviq, është shprehur se një njeri i tillë si Vulin, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e çdo qytetari të Serbisë.
“Jam i shqetësuar se drejtori i BIA-s është nën sanksione, se si rezultat rrezikohet siguria e Serbisë dhe se një njeri i tillë në një vend të tillë është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e çdo qytetari të Serbisë,” - ka shkruar Gërboviq në rrjetin social ‘’Twitter’’.
Ai ndër të tjera bashkë me lëvizjen e tij, ka kërkuar nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, që ta shkarkojë Vulinin.
Nënkryetari i Partisë Socialiste në Serbi, Borko Stefanoviq, ka thënë se ky vendim është një dëshmi se sa qeveria po shkatërron në thelb interesat kombëtare të Serbisë.
‘’Vuçiq do të duhet të heqë dorë nga një mik i dëmshëm dhe shkatërrues nëse mendon për interesin e shtetit. Nëse jo, atëherë do të vazhdojë ta shtyjë vendin tonë më thellë në izolim dhe në rrezikim të interesave tona’’- ka thënë Stefanoviq, raporton Danas.
Për të njejtën çështje u deklarua edhe nënkryetarja e partisë së Lirisë dhe Drejtësisë në Serbi, Marinika Tepiq. Ajo tha se së çdo vend normal, qeveria do të binte menjëherë pas këtij vendimi, dhe se presidenti do të jepte dorëheqjen.
Tepiq shton se Vulin sipas saj është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vuçiqit.
‘’Pavarësisht gjithçkaje, si dhe deklaratave skandaloze politike, fyerjeve në kurriz të opozitës serbe dhe vendeve të tjera, përfshirjes në aferën e përgjimeve të opozitës ruse, Vuçiq e lejoi Vulin të menaxhonte sistemet më të ndjeshme dhe në këtë mënyrë e mbrojti atë të gjithë kohën”- shtoi Tepiq, raporton media serbe.
Ndërsa lidhur me të njejtin vendim, ka pasur edhe përkrahës të Vulinit
Lëvizja Socialiste, kryetar i së cilës është Vulin, ka pasur reagime të ashpra ndaj këtij vendimi, duke thënë se Uashingtoni gënjen, urren e përdhunon të vërtetën, e duke shtuar se sipas tyre Vulini ishtë ai i cili i shkatërroi klanet e drogës.
‘’Uashingtoni, si gjithmonë, gënjen, urren dhe përdhunon të vërtetën, kështu që Vulin, i cili shkatërroi klanet e drogës që kishin mbështetjen e CIA-s, tani shpallet shpërndarës droge, megjithëse për shkak të tij, vrasësit e tyre të preferuar të drogës janë në burg nga i cili do të dalin vetëm nëse në pushtet vijnë ambasadori Hill dhe Gilas’’- kanë thënë Lëvizja Socialiste.
Kryetari i kësaj partie, Goran Selak, dënoi vendosjen e sanksioneve ndaj Vulinit, duke theksuar se ai është një luftëtar i sinqertë i interesave serbe, veprimet e të cilit nuk janë të përshtatshme për disa.
‘’Vulin është një punëtor i palodhur i interesave kombëtare serbe, i cili patriotizmin e tij e dëshmoi duke kryer funksionet e drejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi, ministrit të Punëve të Brendshme, Ministrit të Punës dhe Punësimit dhe Ministrit të Ushtrisë. Sanksionet amerikane dëshmojnë se Vulin i ka kryer mirë detyrat e lartpërmendura dhe duhet të shërbejë si një formë e veçantë e njohjes për të’’- tha Selak, raporton rtrs.
Në anën tjetër, presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, gjithashtu dënoi vendosjen e sanksioneve amerikane ndaj Vulinit, duke vlerësuar se ato janë një shenjë se Vulin ka punuar dhe po punon për të mirën e vendit.
I pyetur për të komentuar vendosjen e Vulin në "listën e zezë", Dodik tha se ishte "një shpërblim për patriotizmin dhe këmbënguljen e tij në ruajtjen e marrëdhënieve miqësore me Rusinë dhe popullin rus".
‘’Vëlla, mirë se erdhe në klubin e sanksionuar, tani do ta kesh më lehtë,”- iu drejtua Dodik, Vulinit.
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste, Bojan Torbica, i quan gënjeshtra fjalët e ShBA-ve në drejtim të Vulinit, siç tha ai, me qëllim që të shkatërrojnë dhe largojnë një njeri që mbron pa kompromis shtetin dhe interesat e tij kombëtare.
“Të gjithë e dinë se Aleksandar Vulin nuk ka asnjë lidhje me tregtinë e armëve, krimin e organizuar dhe tregtinë e narkotikëve, as nuk ka qenë ndonjëherë i lidhur me të, por ai ka të bëjë me luftën për ruajtjen e Serbisë, me luftën për ruajtjen e Republikës Srpska, me luftën për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë serbe, ka të bëjë me politikën që Serbia të mos bëhet kurrë pjesë e aleancës kriminale të NATO-s’’- tha Torbica, raporton Tanjug.
Së fundi ndaj këtij lajmi ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duke kundërshtuar fjalët se Vulini u sanksionua për krim dhe korrupsion, e duke thënë se saksionet ishin për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë.
"Kokaina nuk u gjet në zyrën e Vulin, por në Shtëpinë e Bardhë, ata kanë hetime për t'u marrë." Por është jashtëzakonisht e rëndësishme të bëhet një hetim, mendoj se ka ndonjë anëtar të përgjithshëm që ata e përdorin për të shkruar diçka”- tha Vuçiq i pyetur nëse Vulin do të mbetet në postin e kreut të BIA-s dhe nëse autoritetet kompetente do të merren me akuzat ndaj tij, raporton Danas.

