Humolli: Bashkë me Abazin po përpiqemi ta krijojmë një grup parlamentar - NACIONALE

Humolli: Bashkë me Abazin po përpiqemi ta krijojmë një grup parlamentar

10 muaj më parë

nga Rea Sefa

Ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli dhe Haki Abazi, që për momentin funksionojnë si deputetë të pavarur në Kuvendin e Kosovës, po bëjnë përprekje për të formuar një grup të ri parlamentar.

Këtë gjë e ka konfirmuar Humolli, i cili njësoj si Abazi, është larguar nga VV në shenjë pakënaqësie.

Ai tha se sëbashku me Abazin kanë rënë dakort t’i koordinojnë punët bashkërisht, dhe tani janë në punë e sipër për krijimin e një grupi të ri parlamentar.

‘’Jemi në përpjekje, jemi duke punuar nëse mund ta bëjmë grupin parlamentar do ta bëjmë. Nëse gjejmë gjuhë të përbashkët me deputet, për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve. Me deputetin Haki Abazi kemi rënë dakord, tani jemi në punë e sipër. Kemi rënë dakord me i koordinu punët bashkërisht. Për arsye se në mënyrë individuale, deputeti në Kuvend të Kosovës nuk ka mundësi me ndiku pa qenë grup. Sepse sistemi i punës që është ndërtuar në Kuvendin e Kosovës, deputetin e pavarur e bënë të pavlerë”- tha Humolli, raporton Indeksonline.

Humolli nuk pranoi të përmend emra të tjerë, sepse sipas tij nuk është korrekte, derisa të merret një vendim.

“Nuk është korrekte me tregu, për arsye se jemi diskutuar me deputet. Kur të bëhet grupi ne do ta bëjmë publike. Tani jemi duke punuar për ta bërë grupin. Nëse bëhet mirë, nëse jo do ta vazhdojmë punën ashtu qysh jemi. Për momentin jam deputet i pavarur “- tha ai.

Humolli ndër të tjera shtoi se kanë pasur, e kanë oferta për t’iu bashkuar grupeve të tjera parlamentare, por nuk përputhen me pikëpamjet politike që i kanë ata.

Ai tha se është larguar nga VV për shkaqe politike e jo për interesa personale.

“Kemi pasur oferta, kemi oferta. Por nuk përputhen pikëpamjet që i kemi ne, ato kanë dallim prej VV, LDK, PDK e as AAK. Pikëpamjet e tyre janë të përafërta. Atëherë me ndërruar prej një partie në parti tjetër, i bjen ego personale. Unë jam larguar për shkaqe parimore politike, jo për interesa personale. Secila parti jam i bindur që ka interes, që unë t’i bashkëngjitëm si deputet. Por pikëpamjet politike për momentin nuk i kemi të përafërta, me partitë tjera politike”- shtoi Humolli.

Lajme të ngjashme