“Më shumë mirëkuptim”, “nxitje për të pranuar”: A po e kritikojnë Kurtin Amerika dhe Evropa? - NACIONALE

“Më shumë mirëkuptim”, “nxitje për të pranuar”: A po e kritikojnë Kurtin Amerika dhe Evropa?

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Për më pak se një javë, në adresë të kryeministrit Albin Kurti kanë shkuar dy “kritika diplomatike”. Me një gjuhë të rafinuar e të përmbajtur, Kurti është “kritikuar” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Njëra i erdhi përmes telefonit nga ana e Derek Chollet-it, këshilltar i sekretarit Antony Blinken, ndërsa tjetra iu dha menjëherë pas takimit të së premtes në Qeverinë e Kosovës, ku Kurti i priti pesë emisarët e posaçëm të ShBA-së, BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Dy deklaratat, në fakt, erdhën më shumë si një sugjerim i mbështjellë me hidhërim e kërkesë për reflektim. E para i kërkoi Kurtit më shumë mirëkuptim, ndërsa tjetra e nxiti atë që ta pranonte propozimin e BE-së, ashtu siç tanimë njihet si plani franko-gjerman, me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas bisedës telefonike, Chollet-i shkroi në Twitter, duke treguar se bisedoi me Kurtin për ta nxitur Kosovën që ta pranonte planin e propozuar nga BE-ja. Pra theksi në këtë shkrim të Chollet-it bie mbi nevojën për ta “nxitur” Kurtin, duke lënë të nënkuptohet se shefi i ekzekutivit po “këmbëngul” në mosnënshkrimin e tij. Andaj ai ka nevojë të nxitet për ta pranuar atë.

“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti sot për ta diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për ta nxitur Kosovën që ta pranojë atë. Një temë e rëndësishme ishte partneriteti ynë dhe objektivi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës” – shkroi Chollet-i në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Sipas Chollet-it, në këtë bisedë telefonike u diskutua edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën amerikani tha se duhet të “ecet përpara”.

“Ne i diskutuam, gjithashtu, rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kontekstin e dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në postet e tyre” – shkroi ai.

Ndërsa Miroslav Lajçaku, i dërguar i posaçëm i BE-së, pas takimit me Kurtin të premten, ku ishte i shoqëruar nga emisarët e posaçëm të ShBA-së, Gjermanisë, Francës e Italisë, dha një deklaratë jashtëzakonisht indikative. Në një deklaratë të shkurtër pas takimit, Lajçaku e vlerësoi si takim të vështirë, por të sinqertë, duke theksuar se ka pritur më shumë mirëkuptim.

“Jemi në mes të misionit tonë, ne do të vazhdojmë për në Beograd. S’ka shumë çka mund të them. Sidoqoftë, çka mund të them në këtë pikë, është që ne kemi pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë e ofruara nga ky propozim. Shpresoj që do të arrijmë aty te mirëkuptimi i plotë dhe shfrytëzimi i plotë i mundësive të këtij propozimi. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë” – vlerësoi ai.

Se kjo ishte një kritikë diplomatike ndaj Kurtit, u qartësua nga deklaratat e Lajçakut në Beograd, pas takimit me presidetin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndonëse e vlerësoi si takim të gjatë, por të hapur, Lajçaku vlerësoi se Vuçiqi në takim kishte një “qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime".

“Kemi pasur një takim të gjatë, të vështirë, por bisedë të hapur. Presidenti Vuçiq tregoi qasje të përgjegjshme dhe vullnet që të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane” – theksoi ai.

Për më tepër në lidhje me Asociacionin, së fundmi i ashpër ka qenë edhe Gabriel Escobar-i, i dërguar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili i ka përmendur “partnerët alternativë”, duke shtuar se një njeri nuk mund t’i ikë këtij obligimi të Kosovës, një referim ndaj kundërshtimit të Kurtit për themelimin e tij.

“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit” – theksoi ai.

Lajme të ngjashme