Lajçak më “i butë” në Serbi: Kërkon formimin e Asociacionit, thotë se Vuçiqi ka qasje të përgjegjshme - NACIONALE

Lajçak më “i butë” në Serbi: Kërkon formimin e Asociacionit, thotë se Vuçiqi ka qasje të përgjegjshme

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Emisari i Bashkimit Evropian, Mirsolav Lajçak, ka kërkuar edhe një herë themelimin e Asociaconit të Komunave me shumicë serbe, duke thënë se ky është element kyç për stabilitet. Këto deklarata, ai i ka dhënë pas takimit që pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ku të pranishëm ishin edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, ai francez, gjerman dhe italian.

Siç raporton mediumi serb “N1”, Lajçak ka folur edhe rreth planit evropian, apo siç njihet "plani-franko-gjerman".

“Ne jemi të bindur se plani që kemi prezantuar në shtator është mënyra më e mirë për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe perspektivë evropiane në rajon. Ne vazhdojmë të punojmë.” – citohet të ketë thënë ai.

Pavarësisht se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e cilësoi si “takim të vështirë”, Lajçak po vlerëson se ky i fundit ka pasur një “qasje të përgjegjshme”.

“Kemi pasur një takim të gjatë, të vështirë, por bisedë të hapur. Presidenti Vuçiq tregoi qasje të përgjegjshme dhe vullnet që të marrë vendime të vështira në interest të paqës dhe përspektivës evropiane.” – ka thënë ai.

Ton më i ashpër në Kosovë?

Lajçak u prononcua shkurt pas takimit me Kurtin, duke dhënë disa informacione në lidhje me atë se çfarë u diskutua brenda, ndonëse u duk mjaft i rezervuar.

Ai tha se ishte një diskutim i vështirë dhe i gjatë, por i sinqertë.

Por sipas asaj që e deklaroi, Lajçak duket të jetë ndarë jo aq mirë nga takimi me Kurtin pasi tha se “ka pritur më shumë mirëkuptim” për mundësitë e ofruara nga propozimi franko-gjerman, që tash është edhe propozim i Brukselit.

“Jemi në mes të misionit tonë, ne do të vazhdojmë për në Beograd. S’ka shumë çka mund të them. Sidoqoftë, çka mund të them në këtë pikë është që ne kemi pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë e ofruara nga ky propozim. Shpresoj që do të arrijmë aty te mirëkuptimi i plotë dhe shfrytëzimi i plotë i mundësive të këtij propozimi. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë.” – tha ai.

Veç kësaj, Lajçak para mediave ka folur edhe për planin franko-gjerman, por theksoi se "nuk do të japë ndonjë deklaratë dramatike".

“Të gjithë këto fuqi janë vendosur prapa kësaj inciative. Dhe natyrsht, qëllimi i këtij takimi me kryeminstrin Albin Kurti ishte diskutimi i propozimit për normalizimin e marrëdhënieve që e kemi prezantuar në shtator e pastaj në dhjetor. Ne shpenzuam më shumë se dy orë me kryeministrin, që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe shumë i hapur. Është shumë herët të thuhet ndonjë deklaratë dramatike” – tha ndër të tjera z. Lajçak pas takimit.

Zyra e kryeministrit jep disa detaje

Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media, ka dhënë detaje rreth takimit me pesë emisarët që i shkuan sot Kurtit në zyrë.

Në njoftimin e Qeverisë, thuhet se Kurti kërkoi që njohja reciproke ndërmjet Kosovës e Serbisë të jetë në qëndër të marrëveshjes në mes tyre.

"Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër." - shkruan mes tjerash.

Sidoqoftë, në njoftim nuk përmendet diku çështja e Asociacionit, derisa rreth kësaj nuk foli as Lajçak në konferencën për media.

Lajme të ngjashme