“Me plis në forum biznesi” - Bankieri austriak që kompleksoi biznesmenët shqiptarë
Günter Dornetshuber është ish-futbollist dhe tash një bankier me profesion, por që ka nisur të bëjë edhe një biznes tjetër, prodhim të produkteve të ndryshme të xhamit e produkte të ngjashme. Në Kosovë ka ardhur për të marrë pjesë në një mbledhi të biznesve nga diaspora të cilët u takuan për të shikuar mundësinë e investimeve në vend.
Rreth 300 të tillë ishin të pranishëm në Forumin e Bizneseve të Diasporës, ku morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja Rozeta Hajdari, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e shumë milionerë të tjerë biznesmenë.
Por të gjithë ranë në hije, kur në sallë hynë tre persona të cilët kishin vënë në kokë nga një plis, kapela tradicionale e burrave shqiptar, zakonisht në moshën e pensionit. Të gjithë të tjerë biznesmenë shqiptarë, ishin përkujdesur që të visheshin me kostume sa më të shtrenjta, dhe të modës së fundit. Nacionale bisedoi me bankierin austriak që në Forum kishte ardhur së bashku me dy përfaqësues të bizneseve shqiptare në diasporë, Ardon Ramadani dhe Dardan Ramadani. Kur Dornetshuber u pyet nëse ishte ideja e dy kosovarëve që të vinin në Forum me plisa, ai befasoi me përgjigje.
“Kështu më thanë edhe disa të tjerë, por në fakt ishte ideja ime”, thotë Dornetshuber për Nacionale.

Ai pohon se ka rënë në dashuri me traditat shqiptare, e sidomos me kapacitetin e të rinjve këtu për t’u marrë me teknologji dhe ‘start-up’. Kur u pyet se përse vendosi që të vinte me plis në një Forum të Biznesit, ai u përgjigj shkurt.
“Nuk më pëlqen që biznesmenët këtu por edhe njerëzit e thjeshtë janë inferiorë ndaj traditës, sidomos kësaj kapele. Deshta që të vij në këtë mënyrë për të nderuar këtë traditë”, tha Dornetshuber.
Ai mori me dhjetëra komente nga të tjerë biznesmenë të pranishëm dhe shumë prej tyre edhe bënë foto me të. Dornetshuber dhe dy përfaqësuesit e biznesit shqiptar në diasporë, bënë edhe fotografi me kryeministrin Albin Kurti. Për Dornetshuber, plisi është një kapelë e mrekullueshme, praktike dhe estetike.
“Dje kur ishte nxehtë e provova në qytet, dhe me të vërtetë ma mbrojti kokën nga dielli”, tha ai.
Për bankierin austriak, tradita dhe biznesi në Kosovë mund të jenë një kombinim fenomenal dhe i sukseshëm financiarisht.
“Mendoj se tradita dhe biznesi duhet të takohen së bashku. Kosova ka një histori tepër të lashtë dhe shumë interesante. Gjithashtu ka një traditë të pasur dhe këtu në kosovë tradita është diçka që duhet të bashkëdyzohet me bizneset”, tha ai, teksa vazhdoi takimet me të tjerë biznesmenë.
