“Me juve nënshkruanin, mua Beogradi po më ik”: LDK dhe PDK i përgjigjen përdredhjes së Kurtit për gjoja firmosjen e marrëveshjeve - NACIONALE

“Me juve nënshkruanin, mua Beogradi po më ik”: LDK dhe PDK i përgjigjen përdredhjes së Kurtit për gjoja firmosjen e marrëveshjeve

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

“Është shpërqendruese”.

Kështu e vlerësoi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, këmbënguljen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Statuti i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe “të nënshkruhet” në pako me Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo, si kërkesë e fundit kushtëzimi e artikuluar nga Kurti pas 21 tetorit, ku tash shprehet se “veç nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton zbatin” pavarësisht se marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e obligueshme me pranim verbal dhe është bërë pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian.

Zëvendësi i tij Besnik Bislimi, tha ditë më parë se “vetëm pasi të nënshkruhen” tri dokumentet atëherë “mund të konsiderohet draft-Statuti i pranuar”; dhe se ky ka qenë qëndrimi i Kurtit në Bruksel me liderët e BE-së më 26 tetor.

Veç këtyre, Kurti punën e (mos)nënshkrimit e ka funksionalizuar në trajtat prej më të egrave retorike dhe populliste karshi opozitës parlamentare duke u thënë edhe “aman më tregoni qysh ia keni që Serbia nënshkrujke me juve, ndërsa mua po më ik”.

Beogradi nuk po don me nënshkru me mu. Ka nënshkru edhe me PDK, edhe me LDK, aman tregomni qysh ia keni bo bre, që me juve e nënshkrujke, Me mu po ikë, nuk po nënshkrunë, po shpall zgjedhje”, thoshte Kurti para deputetëve në një fjalim tejet të zjarmishëm.

“(...) ajo çfarë kam ofruar është që ta nënshkruaj dhe si rrjedhojë ta pranoj. Meqenëse s’ka nënshkrim, s’ka pranim. S’ka pranim – s’ka zbatim. Vetëm nënshkrimi nënkupton pranim”.

Por, ku është hilja?

Kosova asnjëherë nuk ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë, por vetëm kanë vendosur inicialet si konfirmit të tekstit; gjë që edhe Kurti mund ta bëjë kur të dojë.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, krejt këtë zjarmim të Kurtit se “me juve nënshkruajke Sebria ndërsa me mua jo” e quan manipulim dhe në thelbë gjë të pavërtetë në funksion të mjegullimit të opinionit publik në atë se çfarë marrëveshje dhe Statuti të Asociacionit ka pranuar.

Nënshkrim të marrëveshjes nuk ka pasur asnjëherë në Bruksel. Është manipulative. Ka pasur vendosje të inicialeve; nuk është nënshkrim protokollar. Kosova ka ratifiku letërshkëmbim. Ne kemi ratifiku letërshkëmbim; Mogherini dhe Kryeministri, dhe e kemi përkthy në një obligim ndërkombëtar sepse BE ka qendrim neutral; vendosja e inicialeve është çështje krejt simbolike”, tha ditë më parë Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në Debat Plus.

Kurti po kërkon nënshkrime zyrtare e protokollare. Asnjëherë Kosova dhe Serbia nuk kanë pasë nënshkrime protokollare zyrtare. Vendosja e inicialeve mundet me ndodh tash”, shtoi Haziri.

Zyrtari i LDK-së thotë se “në kuptimin bukfal vendosja e inicialeve” është veçse konfirmimin i tekstit e jo siç – “manipulativisht – pretendon Kurti; teksa shpjegon edhe rastin e ish-Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa në vitin 2015 për çështjen e parimeve të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Ka qenë insistim i Mustafës për inicialet për shkak të kërkesës për verifikim në Gjykatën Kushtetuese. Sepse ka qenë i bindur se Serbia mundet me ik raportiit me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe ka këmbëngul me çdo kusht që letrën (e Mogherinit) m’e konfirmu për parimet, sepse në letër thuhet shumë qartë se nuk mund të ketë pushtet të tretë dhe të drejta ekzekutive. Edhe inicialet e Vuçiqit për shkak të Gjykatës Kushtetuese”, ka shpjeguar Haziri.

Edhe Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në një intervistë në Politiko të Kanal 10 tha se këto deklarime të Kurtit “janë në esencë të pavërtetat e para” që kryeministri synon t’i plasojë para opinionit publik.

Nga 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që nga nisja e dialogut, Krasniqi thotë se vetëm 10 prej tyre “janë inicializuar”.

Kurti me insistim p’e thotë në Kuvend për nënshkrim: kurrë Kosova me Serbinë asnjëherë nuk kanë nënshkru marrëveshje. Vetëm kanë inicializuar, nënshkrim s’ka pas. Zoti Kurti sot mundet me inicializu marrëveshjen. Kur ai po thotë ‘pse mua s’po më pranojnë (për nënshkrim) njëjtë qysh e kanë pranu Thaçin dhe Mustafën’ ai i pranum është”, ka thënë Krasniqi.

Sot, nesër a pasnesër, kjo është e konfirmuar nga BE, mundet me inicializu marrëveshjen. Njëjtë siç janë inicializu këto tjerat. Nga 32 ose 33 marrëveshje që janë arritur vetëm 10 janë inicializuar, tjerat kanë qenë dakordime. Njëjtë sikur marrëveshjet e Kurtit që u bëjshin zyrtare me nje tweet nga Borrelli e Lajçaku, ose deklaratë nga zyra e Borrellit. Këtu në esencë i kemi të pavërtetat e para të cilat duhet m’ei pa në kontekstin e përgjithshëm”, ka thënë mes tjerash kreu i PDK-së.

Lajme të ngjashme