“Mbahuni”, fushata e dështuar e pro-serbëve në Mal të Zi për ‘çnjohje’ të Kosovës - NACIONALE

“Mbahuni”, fushata e dështuar e pro-serbëve në Mal të Zi për ‘çnjohje’ të Kosovës

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Pa platformë politike e pa vizion zhvillimi, por janë politikanë.

Politikanë që ende garojnë me oferta etno-nacionaliste. Paramendojeni...

Fronti Demokratik pro-serb në Mal të Zi, tash afër zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, dëshpërueshëm, synon të prodhojë një kauzë elektorale.

Çnjohja e Kosovës...

Le të shohim brenda kësaj parodie serbiste dhe si nisi ajo..

Një komunë që s’i ka as një vit që nga themelimi i saj, Komuna e Zetës në Mal të Zi, hartoi një të ashquajtur deklaratë për çnjohje të Kosovës brenda territorit komunal.

Kryefigurë? Andrija Mandiq, ish-Kryetari i ish-Listës Serbe në Mal të Zi, që më 2008 proklamohej “martir për Kosovën” ku kishte hyrë në grevë urie se pse shteti malazias kishte njohur Kosovën.

Ajo grevë s’i kishte shkuar mirë, e të njëjtë e ka fatin edhe kjo deklaratë.

Nacionale ka biseduar me aktivistin nga organizata jo-qeveritare “Alternativa Crna Gora”, Vesko Pejak, si dhe redaktoren për politikë në gazetën e Podgoricës “Vijesti”, Biljana Matijaseviq, për të marrë një koment se a ka në fakt vlerë një gjë e tillë.

Që të dy përgjigjen negativisht: Nuk ka kurrfarë vlere në aspekt politik. Por, pse u bë? Në funksion të fushatës para-elektorale për zgjedhjet parlamentare që mbahen në qershor.

Biljana Matijaseviq: “Edhe po qe se Komuna e Zetës (e udhëhequr nga Fronti Demokratik) do ta miratonte këtë iniciativë, ajo s’ka kurrfarë vlere ose force ligjore në nivelin shtetëror”.

Njëjtë na thotë edhe Pejak me buzë nën gaz.

Vesko Pejak: “Nuk ka asnjë rëndësi/kuptim kjo as për shtetin e Malit të Zi e as në vendimmarrjen politike të Malit të Zi”.

Aktivisti podgoricas na thotë se shefi i Beogradit do ta nxehë ca atmosferën politike atje.

Vesko Pejak: “Kjo i konvenon Serbisë dhe Frontit Demokratik kur flitet për kombësi, sepse duke i mbajtur në këto tema shmangen realitetit dhe çështjet ekonomike”.

Biljana Matijaseviq, gjithashtu e sheh se këto forca politike mund të shfrytëzojnë kartën e Kosovës për të shënuar ndonjë pikë politike aty-këtu.

Biljana Matijaseviq – “Kjo iniciativë dëshmon se një pjesë e partive pro-serbe (dy janë tash për tash) në aleancën politike të Frontit Demokratik, ka nisur fushatën parazgjedhore parlamentare për 11 qershor. Kjo gjithashtu konfirmon informacionet jozyrtare që këto parti do të promovojnë fuqishëm nacionalizmin serb në fushatën para-zgjedhore, duke shënjestruar votuesit pro-serbë. Dhe tema kryesore mund të jetë Kosova”.

Për një gjë që profesori i shquar malazias, profesor në Universitetin e Albertës në Kanada, Srxha Pavloviq, na fton që të jemi të sigurtë, është se do të ketë përnjëmend fushatë të nxehtë: fushatë për tërheqje të njohjes së Kosovës

Srxha Pavloviq: “Duhet të mbajmë mend që jashtë retorikës së mbushur nacionaliste, partitë pro-serbe në Mal të Zi, nuk kanë tjetër bazë tjetër politike mbi ku të qëndrojnë. Nuk kanë zgjidhje tjetër përpos t’u ofrojnë votuesve të tyre një dhuratë të mirënjohur: një shportë me fruta të helmuara të klero-nacionalizmit serb. Jashtë këtij peizazhi, parti të këtilla s’kanë as identitet e as rëndësi politike. Duke pasur këtë ndërmend, pres përnjëmend një fushatë të nxehtë”.

Lajme të ngjashme