“Marrja e Serbisë me të mirë bëri që Kosova ta kthente fokusin thellë nga Turqia”: MEE-ja bisedon me “një burim” brenda qeverisë kosovare - NACIONALE

“Marrja e Serbisë me të mirë bëri që Kosova ta kthente fokusin thellë nga Turqia”: MEE-ja bisedon me “një burim” brenda qeverisë kosovare

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Gazeta me bazë në Londër “Middle East Eye” e cila mbulon ngjarjet në Lindje të Mesme doli me një artikull për blerjen e dronëve të tipit Bayraktar TB2 nga Kosova ku analizoi gjerësisht edhe situatën e tensionuar të kohëve të fundit në pjesën veriore të vendit. Kjo gazetë londineze do të thirrej edhe në një “burim të afërt” me qeverinë kosovare në dritën e kësaj blerje të re të dronëve nga Turqia dhe se çfarë nënkupton në nivelin politik bilateral dhe të mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ky burim i thotë gazetës në rend të parë se për shkak të “qasjes të marrjes me të mirë Serbinë nga Perëndimi” kjo brenda lidershipit kosovar ka bërë që “rëndësia strategjike e Turqisë të kthehet në fokus të thellë”. Dhe këtu, thotë ai, duke ia shtuar edhe kontekstin e blerjes së dronëve turq “ka të ngjarë të forcohet ndjeshëm, duke çuar në intensifikimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes”.

Tregimin e saj MEE e nis me atë që duke qenë se krijohet një “zbrazëtirë” për sa kohë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zëna në heqjen e Serbisë nga orbita ruse, Turqia po provon ta zë “atë zbrazëtirë” të rolit që BE dhe ShBA kanë në Kosovë. Me këtë e lidh saktësisht këtë blerje të re të dronëve, e që edhe duke biseduar me një “burim të afërt” me qeverinë kosvoare, e mbështet edhe më tej tezën e saj.

Ky burim qeveritar i thotë gazetës londineze se në të kaluarën qeveritë kosovare “mirëmbanin një distancë publike nga Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan pavarësisht marrëdhënieve të forta instucionale”. Kjo ngase, siç ua shpjegon ai, “ekzistonte frika në Prishtinë që nëse do të kishte ndofarë percepsioni se Kosova po bashkërendohet me afër me Erdoganin kjo do të ngjallte dyshime te Perëndimi”.

Sidoqoftë, është thelbësore që liderët perëndimorë të pranojnë se Kurti është një politikan pragmatik që e kupton realpolitikën dhe i përshtatet rrethanave në ndryshim. Brenda lidershipit të Kosovës, marrja e vazhdueshnme me të mirë e Serbisë nga Perëndimi ka sjellë në fokus të thellë rëndësinë strategjike të Turqisë", shtoi burimi. "Si rezultat, ndikimi turk në Kosovë ka të ngjarë të forcohet ndjeshëm, duke çuar në intensifikimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes".

As një muaj më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq në konferencë për media me nervozizëm të skajshëm ku u ankua gjerë e gjatë për Turqinë. Ndonëse kaherë me shtetin turk i ka argëtuar tonet më të buta e miqësore, Vuçiq do të shpërthente si asnjëherë më parë për një çështje: atë të armatosjes dhe fuqizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Më lejoni të tregoj diçka që njerëzit nuk e dinë...

Kështu e kishte nisur fjalimin e tij të gjatë e denoncues ndaj Turqisë, ku tregonte se tashmë Forca e Sigurisë së Kosovës, kishte blerë dronë Bayraktarë – dhe jo veëtm – nga Turqia.

Serbia e cila në prill të vitit të kaluar ishte rrreshtuar prej shteteve të para për të blerë dronët e suksesshëm turk, tashmë ishte tërhequr nga këto blerje. Vuçiq njoftoi aty se Serbia do të tërhiqet krejtësisht nga këta dronë, dhe do t’i kthehej atyreve kineze, “por edhe nga Lindja e Mesme”; me këtë të fundit aludonte te dronët kamikazë iranianë.

Vetëm disa ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi për herë të parë dhe tregoi me fotografi dronët e rinj turkë që janë blerë nga shteti kosovar.

Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, shkroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiq, madje, pretedonte se Turqia jo vetëm që u ka shitur dronë, por u ka dhënë edhe “raketa anti-tank, topa gjuajtës me rreze të gjatë”, ndërsa shtetin turk e denonconte se “po armatos seriozisht FSK-në”.

Dronët bajraktarë më s’do të jenë diçka që Serbia do t’u shkojë pas, njoftonte ai.

Ne refuzuam të blejmë bajraktarë sepse ata ia dhanë Prishtinës. Nuk do të bashkëpunojmë më me ta në këtë. Dronët kinezë, CH-90, na kanë ardhur kohëve të fundit. Brenda pesë muajsh, do të kemi 1 mijë dronë kamikazë që i kemi porositur nga Lindja e Mesme, për të parandaluar një agresor potencial”, shtoi Vuçiq.

Madje, për të mos u mjaftuar dhe ndaluar se denoncuari Turqinë, Aleksandar Vuçiq – ndonëse mirëmban raporte të afërta me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan – thoshte se Turqisë i ka mbetur vetëm edhe një gjë e vetme të bëjë për FSK-në: “T’ua ngrisin edhe flamurin në NATO”.

“Nuk e kanë ngritur flamurin ende sepse NATO s’ua ka dhënë. Kanë optikë imazhesh termike, me rreze të gjatë dhe ne duhet të kemi kujdes të tepërt dhe të kemi mjete adekuate nëse kërcënohen njerëzit tanë”, pati thënë ai.

Presidenti i Serbisë madje mes tjerash thoshte se Ushtria e Serbisë është “shumë më e madhe” se Forca e Sigurisë së Kosovës “por ditë e më shumë po armatosen e pajisnet, në rend të parë përmes mjeteve turke”.

Vuçiq, në prill të vitit të kaluar, në një takim në Beograd me Erdoganin, pati njoftuar se Serbia ka ndarë “disa qindra milionë euro” për të blerë dronët sulmues Bayraktar.

Lajme të ngjashme