Marrëveshja në Bruksel, ambasadori Hovenier: Ujdia më e mirë e mundshme
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka komentuar marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Hovenier, ka thënë se nga kjo marrëveshje, Kosova pritet të përfitojë shumë gjëra, teksa numëroi disa sosh.
Veç pikave të marrëveshjes, të cilën ambasadori e apostrofoi si ujdia më e mirë, tha që themelimi i Asociacionit është kritik, por mes tjerash ripërsëriti faktin se si i tillë duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovës.
"Natyrisht. Së pari do të thoja që mas muajsh të spekulimeve, propozimi u publikua, tani që të dy udhëheqësit u pajtuan, se nuk ka më nevojë që të negocionojnë më tej për këto parime. Siç e kemi thënë, ne e kuptojmë, ata janë pajtuar në parim.
Marrëveshja sjell shumë gjëra për Kosovën. Ne mendojmë, ShBA beson dhe nuk jemi të vetëm në këtë se kjo paraqet ujdinë më të mirë që është e mundur në këtë rast për të çuar përpara çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Aty janë një varg gjërash që mendojmë se janë në interes të Kosovës. referenca e paprekshme e kufijve, respektimi i integritetit dhe sovranitetit, mbrojtjen e pakicave kombëtare, pajtimin për të zhvilluar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, mbi bazën e të drejtave të barabarta, zotimet se palët do t'i njohin dokumentet e tyre etj.".
