Maqedonia përfiton 6 miliardë euro investime britanike
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, Maqedonia e Veriut do të përfitojë 6 miliardë euro. Me një vëllim të tillë fondesh, ajo do të financojë projekte madhore në infrastrukturë, shëndetësi e teknologji, duke rritur pjesëmarrjen e kompanive vendore.
22 maj 2025 – 5 miliardë paundë britanikë ose 6 miliardë euro do të jenë në dispozicion për zbatimin e projekteve kapitale në Maqedoninë e Veriut.
Kjo është bërë e mundur nga Marrëveshja për Partneritet Strategjik mes shtetit fqinj dhe Britanisë së Madhe.
E nënshkruar sot në Londër nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski dhe ministri britanik i Eksporteve Gareth Thomas, kjo marrëveshje përbën vëllimin më të madh të fondeve në historinë e Maqedonisë së Veriut.
Nënshkrimi i marrëveshjes në fjalë është vlerësuar si një epokë e re për marrëdhëniet Britani e Madhe-Maqedoni e Veriut, duke i dhënë shtysë tregtisë dhe rritjes ekonomike.
Ky partneritet do të mundësojë investime në projekte që kanë të bëjnë me transportin, shëndetësinë, energjinë dhe teknologjinë.
Me 6 miliardë euro të huazuara, Maqedonia e Veriut do ta shtojë ndjeshëm pjesëmarrjen e firmave të brendshme në projekte kyçe infrastrukturore.
Kështu, pritjet nga kjo marrëveshje janë që kompanitë vendore të përfshihen mbi 70 për qind.
Ministri britanik i Eksporteve, Gareth Thomas është shprehur entuziast për marrëveshjen e nënshkruar.
“Partneriteti hap një kapitull të ri në marrëdhëniet e dyanshme me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Thomas.
“Mbretëria e Bashkuar ka përvojë në dhënien e infrastrukturës së cilësisë së lartë gjithandej botës dhe jam i kënaqur ta nis këtë parneritet të ri që do t’i ndihmojë eksportet e bizneseve britanike në Maqedoninë e Veriut.”
Ambasadori britanik në Shkup, Matthew Lawson është shprehur krenar që dy qeveritë kanë arritur një partneritet të tillë prej të cilit do të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
“Ne qëndrojmë të fortë e të bashkuar”, ka thënë ai.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri maqedonas Nikoloski ka thënë se fondet e siguaruara nga kjo marrëveshje janë vlerë e shtuar për Maqedoninë.
“Mund ta them me kënaqësi se këto pesë miliardë paundë apo gjashtë miliardë euro janë bërë përfundimisht të qasshme për Maqedoninë. Ato mund të përdoren për financim projektesh, pra janë të lidhura me projekte, që domethënë se ato do të sjellin vlerë të shtuar për Maqedoninë”, ka thënë Nikoloski teksa ka përkujtuar se investimet do të përqëndrohen në fusha si transporti, shëndetësia, arsimi, energjia, teknologjia, ashtu sikurse edhe mjedisi.
Deri më tani, projektet që veçse janë konfirmuar janë hekurudha në korridorin 10 nga Tabanovci në Gjevgjeli, ndërtimi i spitaleve në Kërçovë. Tetovë e Shtip, si dhe ndërtimi i Fakultetit të Mjekësisë dhe i një konvikti për student në Shtip.
Marrëveshja e nënshkruar sot në Londër qe miratuar në fillim të kësaj jave nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pak kohë pasi kryeministri Hristijan Mickoski dhe homologu i tij britanik Keir Starmer arritën ujdi për partneritet strategjik gjatë samitit të Tiranës.
Marrëveshja në fjalë, e konsideruar si historike, ishte rezultat i muajve të tërë bisedimesh të ngjeshura në nivel diplomatësh dhe ekspertësh.
Ndryshe, partneritetet qeveri-me-qeveri (G2G) janë aranzhime formale me anë të të cilave Mbretëria e Bashkuar zotohet që një qeverie tjetër t’i japë qasje në ekspertizën publike e private britanike për projekte e programe që sjellin përfitime tregtare./NACIONALE/