'Malli' i Kurtit për takim me liderët opozitarë - dy ftesa brenda një jave - NACIONALE

'Malli' i Kurtit për takim me liderët opozitarë - dy ftesa brenda një jave

4 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes, bëri të ditur se do t’i bëjë ftesë për takim liderëve të partive opozitare të vendit. Në këtë fjalim, Kurti nuk la pa e përmenduar që me fitoren e VV-së me 14 shkurt, ‘motivuan’ ndryshimet në udhëheqësinë e partive politike opozitare.

Përveç këtij paralajmërimi për takim, Kurti edhe javën e kaluar kishe paralajmëruar se do t'i ftojë liderët opozitarë në takim.

Kurti nga mbledhja e partisë ka thënë se i ka ftuar liderët e partive opozitare në një takim. Ai u shpreh se do t’i informojë për procesin e dialogut, duke shtuar se dallimet mes vete nuk duhet ta tejkalojnë interesin shtetëror e kombëtar.

Ne jemi për dialog me parime dhe për proces transparent, prandaj edhe sot i dërgoj ftesë tre krerëve opozitarë për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara”, ka thënë ai të dielën.

Ne jemi demokraci e demokracia është e zhurmshme edhe e komplikuar, secili prej nesh kemi mendimet tona dhe kur përballemi me vendime të mëdha është e natyrshme që të kemi edhe dallime e mospajtime, pos asnjëherë dallimet tona nuk duhet të tejkalojnë interesin tonë shtetëror e kombëtar, shoqëror e qytetar”, theksoi ai.

Opozita

Në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK, AAK, ende nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga Kurti për takim.

Burime të Nacionale brenda PDK-së, kanë bërë të ditur se deri më tani, asnjë ftesë nga Kurti nuk ka mbërritur në zyret e partisë.

Teksa nga LDK-ja, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, në një shkrim në Facebook të dielën, para se të bëhet e ditur se Kurti do t’i ftojë për takim, ka lënë të kuptohet se do të marrin pjesë.

Haziri ka thënë se është i nevojshëm një dialog i brendshëm pasi duhet dhënë ‘oksigjen politik negociatorit’.

Është nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm për këtë me pjesëmarrje të pozitës e opozitës dhe shoqërisë civile. Krejt kjo për t’i dhënë oksigjen politik negociatorit, në interes të Republikës”, ka shkruar Haziri.

Edhe nga AAK për Nacionale kanë bërë të ditur se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim nga kryeministri Kurti.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka, për Klan Kosova ka thënë se do të shqyrtohet pjesëmarrja në takim me Kurtin.

Nuk ka ardhur ndonjë ftesë nga Kurti, por nëse vjen, do ta shqyrtojmë pjesëmarrjen”, ka thënë ai.

Malli i Kurtit për opozitën

Nuk ka një javë prej që Kurti deklaroi se e kishte marrë malli për opozitën. Ai në konferencë pati thënë se takimi do të mbahet në muajin gusht.

“...E pashë dje që pos meje, edhe Gabriel Escobarin e kishte marrë malli për opzoitën, edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Escobarin do ta pyes sot se si ka kaluar me opozitën dhe si e kemi opozitën.

Meqë po i afrohemi sesionit vjeshtor, është mirë që të takohemi për shumë çështje. Mund ta konfirmoj që do të ketë ftesë për takim me liderët opozitarë në një kohë të përshtatshme edhe për ata në muajin gusht”, kishtë thënë Kurti.

Ndryshe partitë opozitare vazhdojnë të kritikohen për qasjen konstruktive në raport me Qeverinë e Kosovës.

Teksa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk kanë thënë asnjë fjalë për dakordimin e Serbisë dhe Kosovës për dokumentet për hyrje-dalje, ndërsa kryetari i AAK-së, ka thënë se: “Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën.

Lajme të ngjashme