Bie A3-shi, në telashe B2-shi, drejtori i prodhimit të rrymës në KEK rrezitet në Sarandë
Kosova është në orët më të këqija të saj me energji elektrike, pas daljes nga sistemi të bllokut A3 dhe pas shtyrjes së futjes në sistem të bllokut B2.
E gjithë kjo tashmë është konfirmuar edhe nga ana e KEDS-it me anë të një komunikate shqetësuese që pasqyron edhe komunikimin me KOSTT-in.
KOSTT ka kërkuar sot nga KEDS që si pasojë e rënies nga sistemi të A3-shit, të bëjë “kufizime emergjente të energjisë elektrike”, ndërkohë që KEDS ka porositur qytetarët që të bëjnë “kursime maksimale”.
Vendi aktualisht i prodhon më pak se 400 megavatë, që e bën situatën shumë të pafavorshme. Zakonisht gjatë verave të kaluara, prodhoheshin rreth 650 megavatë me rrymë.
E kur qytetarët po përballën më reduktime të shumta të energjisë, pas rënies se bllokut A3 këto reduktime pritet të rriten pasi që momentalisht KEK-u është duke nënprodhuar.
Por, e gjithë kjo nuk duket të jetë shqetësuese për drejtorin operativ të prodhimit në KEK që ka vendosur të shkojë në pushime.
Ai e ka postuar një fotografi në llogarinë zyrtare në Facebook nga Saranda e largët.
Imeri është përgjegjësi kryesor i prodhimit të rrymës në Korporatën Energjetike të Kosovës.

