Lushi: Ministria e Drejtësisë duhet të angazhohet më tepër për të akuzuarit nga Specialja
Të enjten e 1 shtatorit u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Mysafir ishte Uk Lushi, veprimtar i lobit shqiptaro-amerikan dhe ish-ushtar i UÇK-së.
Lushi e autori Buzhala diskutuan për shumë çështje, teksa politika si gjithmonë e pranishme.
Një prej atyre pjesëve që u veçua ishte edhe vizita që Lushi u kishte bërë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë të Holandës.
Ai, përkundër pikëpamjeve politike, shpeshherë kishte kritikuar kryeministrin në veçanti dhe qeverinë në përgjithësi për "luftën" e tyre ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtu u diskutua edhe për Specialen, me ç'rast ekonomisti Lushi shtoi se shteti, respektivisht Ministria e Drejtësisë mund të bëjë më shumë.
Madje, sipas tij, e ka obligim një gjë të tillë. Fillimisht ai tregoi gjendjen e të burgosurve kosovarë pasi vizitës që regjistroi në Gjykatën Speciale.
"I kam vizituar ish-liderët e Kosovës në Speciale. Nuk ka pasur tjetër zgjidhje. Është një çmim që po e paguan Kosova. I padrejtë. Ata ishin shumë të fortë. Përpos komandant Ujkut edhe Calit që aktualisht është duke u gjykuar, të tjerët i kam takuar. Me dy të parët nuk kam mundur. Mendërisht, psiqikisht edhe patriotikisht janë shumë të vendosur. Edhe e dinë që nuk është mirë ajo punë, por janë të gatshëm m’u përballë me drejtësinë", tha fillimisht ai.
Njeriu që një kohë të gjatë ia kushtoi atdheut, foli për akuzat e Dick Martyt, duke shtuar se ato veçse janë hedhur poshtë. Ndër të tjerash, ai tregoi disa prej mekanizmave që posedon shteti amerikan, aty ku mysafiri i kësaj jave jeton e vepron, sa i përket drejtësisë.
"Të gjithë i dimë rrethanat që po zhvillohen në Gjykatën Speciale. Ka padrejtësi juridike. Harroji ato politike. U vërtetu në fund prej Dick Martyt që ato aluzione kanë qenë të orkestruara nga Rusia dhe faktorë që janë anti-Kosovë, anti-shqiptarë dhe anti-amerikanë. Mirëpo Amerika i ka disa instrumente të cilat, për të vërtetuar pafajësinë, respektivisht për të pastruar një gjë, shkojnë nëpër ato procese dhe unë mendoj se atje do të shkojmë. Çmimi është jashtëzakonisht i madh", vazhdoi Lushi.
Në pjesën e fundit ndërkaq, ai shpalosi bindjet e tij rreth asaj se si do t'ia bënte po të ishte në krye të dikasterit të drejtësisë në Kosovë, dikaster ky që gëzon të gjitha predispozitat e nevojshme për të iniciuar projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me monitorimin e Speciales, pasi siç e tha edhe Lushi, nëse gjyqtari shqipton dënim të trefishtë me jetë për një gjobë trafiku, atëherë me patjetër se duhet larguar.
"Por, po them, unë të isha për shembull në Qeverinë e Kosovës, për arsye se, përveç Bashkimit Evropian edhe shteti amerikan e ka mbështetë, e ka prokurorinë që paguhen nga paratë e taksapaguesve amerikanë, përfshirë mua, mirëpo nuk është problemi kryesor që e ka Amerika. Është problem shumë minor. Por, po të isha unë në detyrën e ministres së drejtësisë, jo ajo, po mund ta krijojë një ekip, dhe ta dërgojë në departamentin e drejtësisë në ShBA dhe t’i informojë ata, jo që nuk e dinë, por që s’merren me atë çështje", përfundoi ai.
Siç edhe mund të shihni, në pjesën e sipërme është episodi i plotë, njëherit numër 25, teksa më poshtë pjesa e zgjeruar në tekstin gjegjës. Shikim të këndshëm.

