Lumturia e Besnik Bislimit: A bëri pazar Qeveria Kurti me rastin e Dejan Pantiqit për heqjen e barrikadave? - NACIONALE

Lumturia e Besnik Bislimit: A bëri pazar Qeveria Kurti me rastin e Dejan Pantiqit për heqjen e barrikadave?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dita e djeshme mund të mbetet për një kohë të gjatë në mendjet e qytetarëve të Kosovës për atë që ndodhi... dhe atë që mund të zbulohet së shpejti se ka ndodhur në prapaskenë. A bëri pazar Qeveria Kurti me rastin e Dejan Pantiqit për heqjen e barrikadave? Fjalët e Besnik Bislimit nuk janë aspak, ama aspak bindëse.

Zëvendës-kryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës u shfaq mbrëmë në një intervistë për RTV KiM. Në atë kohë, partia të cilës i takonte po shante, kërcënonte e linçonte dy qytetarë të Kosovës: prokurorin dhe gjyqtarin në rastin e Dejan Pantiqit.

Por, Bislimi nuk do t’i bashkohej kësaj fushate duke nxitur edhe më shumë dyshimet se prapa gjithë asaj që ndodhi – e që mund/shpresojmë të çojë në heqjen e barrikadave – kishte një ‘pazar’ nga ana e pushtetit.

Mos të keqkuptohemi, Bislimi e thotë edhe fjalinë si vijon: “Shpresoj se kjo nuk do të shihet si pazar sepse qeveria e Kosovës nuk është e përfshirë në këtë gjë.” Por, gjithçka duket në fakt si pazar.

Një prej mbështetëseve më të mëdha të Albin Kurtit, eurodeputetja Viola von Cramon, mbrëmë e mirëpriti “ngrohtësisht” vendimin për Pantiqin.

Mirëpo, edhe fjalët e tjera të Bislimit dukej se çonin në idenë se kishte pasur pazar.

Denoncimi

Për ta kuptuar një gjë të tillë, të shohim fillimisht se si Bislimi e denoncoi prokurorin dhe gjyqtarin që po shpalleshin tradhtarë nga ana e aktivistëve të Vetëvendosjes.

“Çka dihet tamam është se e kemi vendimin e një gjykatësi, por nëse e lexoni vendimin e gjykatës aty ka gabime, që nënkupton se është marrë me urgjencë, për shembull gabohet data (28 tetor 2022)... ndoshta dikush mund ta vë në pikëpyetje këtë vendim... Por, e dimë po ashtu se ky gjyqtar u emërua në një pozitë dje.” – u shpreh mes tjerash z. Bislimi.

Por, të thuash se në vendim ka gabime në një anë dhe të përmendësh thjesht gabimin teknik në datë në anën tjetër, nënkupton të mos thuash diçka të vlefshme.

Menjëherë fjalia vijuese e tij që nuk kërkon të vihet në dyshim kredibiliteti i vendimit: “Nuk dua të vë pikëpyetje te kredibiliteti i vendimit por... duhet ta shohim këtë edhe në kontekstin e zhvillimeve.”

Bislimi i lumtur

Megjithatë, pjesa më rënduese që çon te pazari është në fakt... lumturia e Besnik Bislimit.

“...nëse kjo (lirimi i Pantiqit) kontribuon në heqjen e barrikadave atëherë njerëzit në veri duhet të jenë të lumtur...” – tha ai.

Por, lumturinë e festën ai e përmendi edhe krejt në fillim derisa po fliste për mundësinë që të hiqeshin barrikadat.

“Jam shumë optimist se barrikadat sot e nesër do të hiqen dhe se do të ketë arsye për të festuar. Besojmë se nuk ka pasur arsye për këto tensione dhe nuk ka pasur arsye për barrikada. Nëse ka qytetarë të shqetësuar për zhvillime të caktuara, protestat paqësore mund të arrijnë shumë më shumë me më pak përpjekje sepse Qeveria është e gatshme të diskutojë për çdo shqetësim që qytetarët e Kosovës pavarësisht etnisë e kanë.” – u shpreh Bislimi.

Deri në këtë pikë, pra, kemi gëzimin e Bislimit për heqjen e barrikadave dhe mos-denoncimin e vendimit për lirimin e Dejan Pantiqit.

Përveç kësaj, ai pati edhe një reagim të çuditshëm kur kërkoi që Dejan Pantiqi të mendohej si qytetar e jo si ish-zyrtar policor.

““Mendoj që së pari është gabim kur themi ish-zyrtari policor. Ju mund të jeni ish-aktor, ish-sportist por kjo nuk është relevante. Origjina juaj, pozita juaj, nuk është e rëndësishme. Duhet të thuhet qytetari Dejan Pantiq që kishte një sulm terrorist ndaj zyreve të komisionit zgjedhor u arrestua dhe u paraburgos...”

Çka tha Amerika?

Pretendimet për pazar kanë qenë edhe më rënduese nga pala serbe. Marko Gjuriq pretendon se autoritetet kosovare nuk mund të shkojnë në veri, tashmë, përveç pa konsultimin me KFOR-in edhe pa konsultimin me përfaqësuesit serbë.

Në anën tjetër, ShBA-ja me BE-në dje në një komunikatë e thanë edhe këtë fjali shqetësuese:

“Ne mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore.”

Sipas palës serbe, kjo nënkupton se asnjë prej barrikaduesve që thyen ligjin në veri të Kosovës nuk do të arrestohet.

Lajme të ngjashme