ShBA-ja i jep mësim Sveçlës për policinë: Ushtarët derë më derë për të ofruar ushqim e ujë - NACIONALE

ShBA-ja i jep mësim Sveçlës për policinë: Ushtarët derë më derë për të ofruar ushqim e ujë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Garda Kombëtare e Shteteve të Bashkuara shkoi derë më derë në disa pjesë të Buffalo-s të mërkurën për ta marrë vesh gjendjen e banorëve që kanë mbetur pa rrymë gjatë njërës prej stuhive më vdekjeprurëse dimërore në dekadat e fundit. Ndoshta ministri kosovar, Xhelal Sveçla, duhet të marrë shënime. Para disa ditëve, ai krenohej që një biznes privat u kishte dërguar ushqim policëve në Bërnjak.

Mbi 30 persona janë raportuar të vdekur në pjesën perëndimore të Nju Jorkut nga stuhia që ndodhi të premten dhe të shtunën në një pjesë të madhe të territorit të Shteteve të Bashkuara, shkruan “Associated Press”, përcjell “Nacionale”.

Carolyn Eubanks, e cila varej nga një makinë oksigjeni, vdiq pas mbetjes pa rrymë në shtëpinë e saj në Buffalo gjatë kohës kur punëtorët e ekipeve emergjente nuk mund t’u përgjigjen thirrjeve, tha djali i saj, Antëaine Parker.

“Ajo më tha: Nuk mund të vazhdoj tutje. Po e lusja: Nënë, vetëm ngrihu. Ajo ra në duart e mia dhe nuk tha më asnjë fjalë”- tha ai për një gazetë lokale.

Parker dhe vëllai i tij trokitën në dyert e shtëpive afër tyre, duke kërkuar ndihmë. E gjetën atë, kur një person i panjohur, David Purdy, u përgjigj dhe iu dha ndihmë për ta bartur 63-vjeçaren Eubanks brenda e për t’u përpjekur për ta zgjuar. Purdy dhe e fejuara e tij e mbajtën trupin e saj derisa ekipi i emergjencës erdhi të nesërmen.

Anndel Taylor, 22 vjeçe, vdiq në veturën e saj, pasi u bllokua rrugës për në shtëpi nga puna, tha familja e saj.

Disa trupa të Gardës Kombëtare trokitën në derën e një shtëpie përderisa njerëzit afër saj po mundoheshin që ta hapnin rrugën para bizneseve në një rrugë të rëndësishme të Buffalo-s.

Njëzet e pesë anëtarë të Gardës Kombëtare po bënin kontrolle të tilla të mërkurën, tha përmes telefonit zëdhënësi Eric Durr. Ai tha se trupat kanë bërë kontrolle të mirëqenies edhe më parë, por kanë dalë me një listë specifike të pyetjeve, përfshirë pyetjet nëse banorët kanë ushqim, ujë, rrymë ose ndonjë shqetësim të posaçëm shëndetësor.

“Qëllimi është që të merret vesh se për çfarë kanë nevojë banorë”, tha zëdhënësi Durr, i cili theksoi se trupat janë duke ofruar ushqim e ujë.

Komisari i Policisë së Buffalo-s, Joseph Gramaglia, tha se oficerët e policisë dhe të agjencive të tjera po kërkojnë për viktima të mundshme, duke i përdorur nganjëherë motorët personalë të borës, kamionët dhe pajisjet e tjera.

Kur numri i viktimave e ka kaluar fatkeqësinë e stuhisë famëkeqe të vitit 1977, zyrtarët lokalë u ballafaquan me pyetje për reagimin ndaj stuhisë së javës së kaluar. Ata këmbëngulën se ishin përgatitur, por moti ishte i jashtëzakonshëm edhe për një rajon që është i prurur për stuhi të fuqishme dimërore.

Lajme të ngjashme