"Plumbin hak", "akt-tradhti": Linçime e kërcënime të rrezikshme nga eksponentë të VV-së pas vendimit për Pantiqin - NACIONALE

"Plumbin hak", "akt-tradhti": Linçime e kërcënime të rrezikshme nga eksponentë të VV-së pas vendimit për Pantiqin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për ta dërguar në arrest shtëpiak ish-policin Dejan Pantiq, ka bërë që partia në pushtet të eskalojë në një fushatë të pabesueshme kërcënimesh e linçimesh të rrezikshme ndaj Prokurorit Afrim Shefiku dhe Gjyqtarit Mentor Bajraktari.

Zyrtarët më të lartë qeveritarë dhe aktivistët e partisë më të madhe në vend kanë nisur një fushatë linçuese ndaj gjyqtarit që ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së Sigurisë nga Paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb që dyshohet për terrorizëm.

Ndonëse institucionet ekzekutive për gati tri javë nuk arritën ta sjellin në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ato vendimet e këtyre organeve të drejtësisë po i konsiderojnë edhe si akt tradhtie.

Anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes dhe zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka e cilësoi hiç më pak se “akt-tradhti” vendimin e sotëm. Të njëjtin qëndrim e shprehu edhe aktivisti i shquar Elvis Hoxha.

Ndërkohë, edhe më larg shkoi Egzon Azemi, asamblist i partisë që drejtohet nga Kurti në Prishtinë.

Lart një grafiti ku shkruhej: “Tradhtarët plumbin e kanë hak,” ai u shpreh: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera Avniu tha...” A po kërcënon me vrasje Azemi? Zor të nxirret interpretim tjetër.

Të gjitha këto duket se u nxitën nga një deklaratë e çuditshme nga kryeministri Albin Kurti.

Ai në një konferencë për medie shprehi kurreshtjen e tij për të mësuar emrin e Prokurorit dhe të Gjyqtarit. Sapo e mësuan aktivistët e tij, nisi fushata e linçimeve.

“...kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak. Jam kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim,” - ka thënë Kurti.

Ashpërsi të ngjashme shprehur edhe ministrja Albulena Haxhiu, dhe deputetë e zyrtarë tjerë.

Ana krejt tjetër

Në anën tjetër, në anën krejt tjetër, eurodeputetja Viola Von Cramon e bëri një reagim krejtësisht ndryshe nga Vetëvendosja: “E mirëpres shumë ngrohtësisht vendimin e gjykatës për ta dërguar Dejan Pantiqin, zyrtar policor i Kosovës, në arrest shtëpiak. Kjo duhet të çojë në heqje të menjëhershme të barrikadave në veri dhe në de-eskalim të plotë.”

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit bashkë me BE-në, lëshuan një komunikatë në të cilën thonin se kishin marrë garanci nga lidershipi kosovar se nuk kishte lista të arrestimeve të serbëve në veri.

Po ashtu, ata do të lëshonin edhe një paragraf në të cilin dukej se po reagonin edhe për policin Pantiq.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin punën e Bashkimit Evropian përmes misionit të saj për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). Eulex-i, në përputhje me mandatin e saj, do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektin për të drejta të njeriut. Kjo përfshin, veçanërisht, garancitë për gjykim të drejtë, e po ashtu edhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet jo-shumicë në Kosovë.”

Nacionale po provon të kontaktojë me ambasadat kryesore në vendin tone për të mësuar qëndrimet e tyre në lidhje me linçimet e Vetëvendosjes ndaj Prokurorit dhe Gjyqtarit të rastit të Dejan Pantiqit.


Këshilli Gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është shprehur i shqetësuar për kërkesën e Kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit, i cili ka marr vendim ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Përmes një reagimi, ky institucion ka vlerësuar se ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë janë të papranueshme.

“Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm. Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, është thënë në reagimin e KGJK-së.

Lajme të ngjashme