Lugina rrezikon të mbetet pa asnjë polic shqiptar, Sveçla bën patriotin në Facebook
Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë rrezikojnë të mbesin pa përfaqësim në polici dhe institucionet e tjera shtetërore.
Kështu ka paralajmëruar Këshilli Kombëtar Shqiptar pasi në konkursin e fundit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë nuk është pranuar asnjë shqiptar.
Në deklaratën e afishuar nga kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, bëhet me dije se nga 43 kandidatë nuk është pranuar asnjë shqiptar në Preshevë dhe Bujanoc, ashtu sikurse asnjë shqiptar nuk gjendet në mesin e 22 policëve të pranuar në Medvegjë.
“Ky është një sinjal alarmant që tregon vazhdimin e diskriminimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, përkundër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe obligimeve të shtetit”, thuhet në deklaratë.
Ky Këshill ka përkujtuar se para pak ditësh janë bërë 24 vite prej Marrëveshjes së Konçulit, e cila “në thelb kishte synim inkuadrimin e shqiptarëve në jetën publike”, sidomos në krijimin e një policie multietnike.
“Nga viti 2002 deri në 2004 u arrit të përfshihen një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në polici. Por që nga ajo kohë, dhe për më shumë se një dekadë – nuk është pranuar asnjë shqiptar i ri në stacionet policore në Luginë.”
Këshilli Kombëtar Shqiptar, duke u mbështetur në të dhënat që disponon, ka tërhequr vërejtjen se nëse vazhdon një trend si ky, me daljen në pension të kuadrove aktuale dhe me mospranimin e policëve të rinj, do të rikthehet gjendja e vitit 2001 kur shqiptarët ishin të përjashtuar nga policia dhe institucionet e tjera shtetërore.
“Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ngritur vazhdimisht këtë shqetësim, duke avokuar si në instancat shtetërore, ashtu edhe tek faktori ndërkombëtar, për rikthimin e programit të policisë multietnike, sepse është e vetmja rrugë për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe proporcional, ashtu siç e parashikon kushtetuta, konventat ndërkombëtare dhe vetë Marrëveshja e Konçulit dhe Plani 7 pikësh”, përfundon kumtesa e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Mospërfshirja e shqiptarëve në polici nuk është vetëm padrejtësi, por është shkelje e marrëveshjeve dhe rrezik për bashkëjetesën.”
Ndryshe, pas publikimit të kësaj deklarate, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka përkujtuar se 10 për qind e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve.
“10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb. Në 3 proceset e fundit, të veçanta për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga po ky komunitet”, ka shkruar Sveçla në reagimin e tij në ‘Facebook’.
Duke reaguar për konkursin e fundit të policisë në Serbi, ai ka vlerësuar se kjo dëshmon se “Serbia çdo ditë e më shumë po shpërfaq qasjen e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në thelb ka spastrimin etnik të tyre.”
“Ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar”, ka përfunduar Sveçla në reagimin e tij./Nacionale/