Luftë bizare politike, gënjeshtra e çka jo tjetër në adresimin e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje - NACIONALE

Luftë bizare politike, gënjeshtra e çka jo tjetër në adresimin e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Luftë bizare me politikanë që nuk janë të pranishëm në jetën politike. Linçime ndaj sindikalistëve duke i apostrofuar si kundërshtarë të shtetit, akuza ndaj njerëzve me të cilët edhe ishin në qeverinë Kurti I.

Këto janë pikat kyçe të video-adresimit të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, me të "pështirrën" si të vetmin epitet më të afërt që mund t'i atribuohet.

Kjo pasi, në adresimin respektiv veç tjerash pati edhe gënjeshtra, siç është rasti me faktin se nuk ka asnjë skandal, ndërsa kujtojmë faktin se qe pikërisht Gazeta Nacionale që u bë katalizator për nisjen e hetimeve në ministrinë e Liburn Aliut dhe atyre kundrejt ambasadorit të vendit tonë në Kroaci, Martin Berishaj.

Gjithsesi, anash kësaj, vetëm fakti i të akuzuarit Lumir Abdixhikun thotë shumë. Kujtojmë, Abdixhiku ishte pjesë e qeverisë Kurti I, si ministër i infrastrukturës.

Të ndalemi pak te paragrafi i parë...

"Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm, herë njëri me tjetrin, e tjetri me tjetrin. Më shumë bashkë. Bashkë në Kosovën e ndarë në zona interesi. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme, praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar, që e shihnin veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion, e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s'ishte në anën e tyre: Vetëvendosje!"

Marrin për bazë 20-vjeçarin e fundit, ndërsa hiç më larg se në vitin 2014 bashkëpunuan me LDK-në, Nismën e AAK-në në tentim për të rrëzuar Hashim Thaçin.

A nuk ishte Isa Mustafa i njëjtë atëbotë? Po Fatmir Limaj? E Ramush Haradinaj? Janë po këta me të cilët z.Kurti krijoi bllokun opozitar, që atëbotë njihej si VLAN, por që më pas u zhbë, pas arritjes së marrëveshjes PDK-LDK. Kjo luftë ndaj personave me të cilët dikur ke tentuar bashkëpunimin është veç hipokrizi, asgjë tjetër.

Veç shikojeni paragrafin tjetër...

"Protestuam në rrugë, folëm në Kuvend e ku tjetër, për keqqeverisjen brenda, dhe pazaret që këta i bënë së bashku në dëm të vendit. Edhe pasi humbën, beteja e tyre anti-shtet vazhdoi. Edhe pasi Vetëvendosje fitoi, u bashkuan sërish me 25 Mars 2020, për ta rrëzuar qeverinë e Vetëvendosjes. Humbën sërish me 14 shkurt 2021, vazhdoi të jetonte. Ata janë keqqeverisja 20-vjeçare, që duke vuajtur mungesën e privilegjeve të dikurshme, dhe mundësitë e pasurimit të lehtë, janë organizuar sërish".

Kë ta rrëzojnë? Albin Kurtin! Si? E ka gjysmën e parlamentit. Pse të shkarkohet? I ka fituar 51% të votave. Nga kush po frikësohet? Pse kjo paranojë? Partia e njeriut që ka vota për çdo ligj që i konvenon ankohet se opozita është organizuar. E pakuptueshme!

"Lufta e tyre ndaj shtetit, ka kaluar në një nivel tjetër. Sabotim kudo përmes organizmave të kapur. Prodhojnë emergjenca që asnjëherë të mos merremi me shtetin e shoqërinë siç duhet. Duan të mbysin çdo përpjekje për vendin, sepse nuk mund ta shohin atë tek lulëzon. Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër, vetëm për të sabotuar shtetin dhe sulmuar qeverinë".

Lulëzim? Ku? Vetëm në vitin 2021, në mesataren më të thjeshtë ka pasur largim të 117 personave, çdo ditë.

Sabotim? Nga kush? Bordet janë ndërruar, punësimet familjare edhe nga akterë të VV-së nuk kanë munguar. Si mund të të sabotojë i yti?

Ndërkaq, në pjesën e fundit ata premtuan se nuk do të dorëzohen, edhe pse nuk dihet nga kush?! Tutje thuhet se qeveria nuk do të zmbrapset, duke lëshuar sinjal për çështjen e pagave, gjë kjo e interpretueshme nëse është ligjore apo jo mosdhënia e pagave për grevistët.

Në anën tjetër, në pjesën e fundit, Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk kanë asnjë skandal qeveritar. Kush e di, mbase të atillë po e konsiderojnë ata, pasi kujtojmë faktin se ministrja aktuale e arsimit, që ka probleme edhe me drejtshkrim ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, për të cilën dikur Albin Kurti sa ishte opozitar thoshte se ai njeri që e shkel aktin më të lartë juridik të vendit është super-kriminel.

"Cilën qeveri? Atë pra, që suksesshëm u përballë me pandeminë, që u gjend në moment të duhur, të krizës me ekonomi, duke ndihmuar qytetarët e që po përballet me krizën e inflacionit dhe do të merret edhe me energjinë. Për një vit e gjysmë në Republikën e Kosovës, u bë e mundur të qeveriset, pa asnjë skandal qeveritar. Për një vit e gjysmë, ata që nuk u përllogaritën kurrë nga shteti, filluan ta ndjejnë dorën e tij. Zhurma e tyre vazhdon. Por qeveria nuk shantazhohet. Vettingu dhe byroja për konfiskimin e pasurisë, do të bëhen. Hajnat do të japin përgjegjësi. Vendi do të bëhet i mirëqenies dhe zhvillimit. Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje nuk zmbrapset. Vullneti i qytetarëve do të jetësohet".

Në mungesë

Ajo që është më e dobëta nga të gjithë, përfshirja e Thaçit dhe Veselit në këtë video.

Ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së po qëndrojnë në Gjykatën Speciale, ndërsa partia që aktualisht gëzon numrin më të madh të deputetëve gjen kohë të bëjë këso goditjesh nën brez, që përveç faktit se është e ulët, transmeton edhe idiotësi.

Për më shumë, ndiqni videon e mëposhtme dhe do të kuptoni se sa të pavërteta, përveç tjerash, ka aty brenda.

Lajme të ngjashme