“Luanesha e ISIS-it“: Gjyqësori italian kërkon veprime të ngutshme për kosovaren 19 vjeçare - NACIONALE

“Luanesha e ISIS-it“: Gjyqësori italian kërkon veprime të ngutshme për kosovaren 19 vjeçare

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pjesëmarrja e shumë kosovarëve në luftën xhihadiste të ISIS-it është ndër episodet më të errëta të historisë së re të Kosovës, e për të cilin nuk preferojmë të flasim. Ky tekst është për Bleona Tafallarin, kosovaren 19-vjeçare të ashtuquajtur “Luanesha e ISIS-it”.

Nuk ka numër të saktë të kosovarëve që lanë shtëpitë e tyre për t’iu bashkuar grupit terrorist “ISIS”. Flitet të jenë diku rreth 438 persona. 93 prej tyre nuk u kthyen kurrë më.

E përveç atyre që lanë shtëpitë e tyre në Kosovë, një numër i konsiderueshëm i tyre, ISIS-it iu bashkuan edhe nga mërgata.

Rasti i Bleona Tafallarit është vetëm njëri ndër to. Kosovarja 19-vjeçare, që jeton e vepron në Milano të Italisë, dyshohet se krijoi një rreth të madh me qëllim të rekrutimit të sa më shumë njerëzve, për t’iu bashkuar grupit kriminal që i takonte.

Në celularin e saj janë gjetur mbi 7 mijë dokumente, audio, video, dhe fotografi të flamujve të zi, të cilët përdoren nga grupi famëkeq radikal ekstremist në ato që ISIS i quan beteja triumfuese.

Në mbi 2000 mesazhe ajo u premtonte vajzave tjera se nëse do të rekrutoheshin, atëherë do ta gjenin një burrë me të cilin do të vdisnin si martire.

Bëhet fjalë për Bleona Tafallarin, vajzën shtetase kosovare, e lindur në Kosovë. Ajo jetonte në Itali me vëllain e saj, konkretisht në qytetin e Milanos. Vajza 19-vjeçe ishte arrestuar më 17 nëntor të vitit të kaluar, duke u ngarkuar me veprën e rëndë: terrorizëm.

Prokuroria italiane, saktësisht, grupi antiterrorist i Prokurorisë Publike të Milanos, i drejtuar nga Alberto Nobili, ka zbuluar që nofka me të cilën identifikohej ajo ishte “luanesha e ISIS-it”.

Në përgjimet dhe hetimet e prokurorisë italiane, të siguruara nga shtypi në fjalë, del që Bleona Tafallari të ketë krijuar një rreth të gjerë, të shtrirë në rrjete të ndryshme sociale, nga ku përpiqej që ta masivizonte aktivizmin e saj dhe të grupit që i përkiste.

Kësisoj, ajo në rrjetet sociale si Telegram dhe Snapchat kishte futur mijëra të rinj, përfshirë këtu edhe të miturit, me pretekstin e “luftimit të armikut perëndimor”.

Ajo kishte plot tri vjet që ishte pjesë e grupit “luanët e ballkanit”, që operonte për ISIS.

Sipas të gjeturave të hetuesisë italiane, ajo në vitin 2021 ishte martuar me një njeri që luftonte për atë që dashakeqësisht e quajnë si “lufta e shenjtë islame”.

Edhe personi në fjalë ishte me nënshtetësi kosovare. Sipas indicieve të shtypit të huaj, bëhet fjalë për të afërmin e Kujtim Fejzullahut, mbi të cilin rëndon akuza e rëndë, për atentatin e Vienës në nëntor të 2020-ës, ku në kryeqytetin austriak ngelën të vrarë katër persona.

Bleona Tafallari kur është ftuar ta japë dëshminë e saj dhe të intervistohet nga prokurori i rastit, ajo ka mohuar akuzat që i vihen në barrë, duke thënë se nuk ka bërë propagandë.

Tafallari u mundua ta shfajësojë veten, ndonëse asaj i janë gjetur mesazhet e fundit kur nxiste një vajzë të mitur 16-vjeçe, duke i thënë se do ta kishte gjetur një “luan” për t’u martuar, me të cilin do të vdiste si martir pas një “martese të larë me gjakun e jobesimtarëve”.

Për rastin e Tafallarit, dje gjatë ditës kanë raportuar pothuajse të gjitha gazetat italiane.

Lajme të ngjashme