Llapi aktron: Në shkollën e vizituar nga Kurti, drejtori inskenoi vetëm për kamera “mbajtjen e mësimit” - NACIONALE

Llapi aktron: Në shkollën e vizituar nga Kurti, drejtori inskenoi vetëm për kamera “mbajtjen e mësimit”

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Megjithëse publikisht thuhet se nuk ka as presione e as kërcënime ndaj mësimdhënësve grevistë, kjo duket të mos jetë bash bash e vërtetë.

Një rast i çuditshëm ka ndodhur sot në shkollën fillore “Enver Maloku” në Podujevën që drejtohet nga kryetari Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes.

Sipas burimeve të gazetës Nacionale, drejtori i kësaj shkolle Agim Hamza ka mbushur dy klasa me nxënës vetëm sa për të marrë pamje kamerat se kinse në këtë shkollë po mbahet mësim dhe nuk po respektohet greva derisa kryeministri ishte aty.

Nxënësit dhe mësimdhënësit raportohet të kenë ‘aktruar’ pjesëmarrjen e tyre në shkolla vetëm për pak minuta, pasi që mësimi aty nuk po mbahej.

“I kanë thirrë nxënësit vetëm sa për me marrë pamje kamerat se kishe po mbahet mësimi, por mësimin nuk po mbahet, jemi në grevë!” – tha burimi që është pjesë e këtij institucioni arsimor.

Ky inskenim raportohet të ketë ndodhur ditën e martë kur për vizitë ishte kryeministri i Kosovës, e bashkë me të edhe një numër fotoreporterësh dhe gazetarësh.

Kryeministri Kurti ka vizituar Podujevën edhe gjatë ditës së sotme, ku ka takuar ngrohtësisht përsëri kryetarin e kësaj komune dhe bashkëpartiakun Shpejtim Bulliqi.

Sipas burimit të gazetës, mësimdhënësit kanë vazhduar të përballen me “presione të tmerrshme” për ndaljen e grevës por megjithatë të cilit po i rezistojnë.

Presioni për ndalimin e grevës përbën shkelje flagrante të të drejtave të punëtorit dhe me këtë çështje do të duhej të merrej inspektoriati i punës.

Por, drejtori i kësaj shkolle në një prononcim për gazetën Nacionale ka mohuar akuzat nga stafi i tij:

“50 për qind ka fillu mësimi në shkollën tonë. Ne mendojmë se mësimi duhet të fillojë sepse mësimi, nxënësit kanë humbë shumë. Për me pasë presione, duhet të ketë dëshmi. Unë nuk bëj presione. Ai që don me mbajtë mësim, mban, ai që s’don e mbanë grevën... Veç është kriju huti sepse të gjithë nxënësit janë për fillim të mësimit. Unë besoj që shumë shpejt, është çështje ditësh, një apo dy ditë (deri në fillimin e mësimit). Definitivisht nuk ka zgjidhje tjetër.”

Se çka ka nënkuptuar ai me huti, dhe sidomos me besimin se mësimi do të fillonte “shumë shpejt” nuk dihet por mund të merren si elemente të qarta për ushtrim presioni ndaj grevistëve.

Ndryshe edhe Drejtori i Arsimit në komunën e Podujevës, Avni Fetahu të mërkurën bëri thirrje që të mabhet mësimi për ditën e sotme.

Karshi përgjegjësisë që na takon si DKA dhe Këshill i Prindërve nuk mund të rrimë duarkryq karshi kësaj situate, ne kërkojmë nga ana e prindërve në Komunën e Podujevës, që nga nesër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, duke e parë edhe vullnetin e një numri të madh të mësimdhënësve t’i kthehen procesit mësimor”, ka thënë Fetahu.

Grevistët janë përballur me presione edhe nga Qeveria e Kosovës që fillimisht i kishte kërcënuar e madje edhe lënë pa paga të gjithë prej tyre.

Lajme të ngjashme