S’dorëzohet babai i Arianit Beqirit të VV-së, mban mësim me një grusht nxënës - NACIONALE

S’dorëzohet babai i Arianit Beqirit të VV-së, mban mësim me një grusht nxënës

4 vjet më parë

nga Festim Gërguri

1% e nxënësve i mjaftojnë babait të Arianit Beqirit të VV-së që të mbajë mësim.

Pasioni për të dhënë dije ose fakti se është babai i ish-këshilltarit të Kurtit, kanë bërë që Ramadan Beqiri të dalë kundër kolegëve të tij.

Të gjithë mësimdhënësit në shkollën “Xhavit Ahmeti” po mbajnë grevë, sipas udhëzimeve të SBASHK-ut, përveç Ramadan Beqirit – babait të Arianit Beqirit nga VV.

Arsimtari Ramadan refuzoi të flasë për Nacionalen për këtë çështje.

Por, në Facebook, Beqiri i është bashkuar fushatës kundër grevës së SBASHK-ut.

Se babai i Arianit Beqirit është i vetmi arsimtar që po mban mësim,e konfirmon edhe drejtori i shkollës.

Drejtori

Ai për Nacionalen thotë se ashtu si në shumicën e shkollave, greva është duke u bajtur, por shtoi se ata që duan të punojnë, do të gjejnë mbështetje.

"Edhe në shkollën tonë si në pjesën dërmuese të shkollave nivel vendi, është duke u mbajtur grevë, do të thotë janë duke e përkrahur grevën, ndoshta dallim ka bërë këtyre ditëve një mësimdhënës ka mbajtur lëndën e fizikës.

Kush punon e përkrahim, edhe këta që s’punojnë që janë në grevë… nuk kemi ushtruar presion ndaj tyre që të punojnë, mirëpo i lutem zotit që sa më shpejt të përfundojë kjo dhe nxënësit t’i kemi këtu".

SBAShK

Ndërsa nga anëtarja SBASHK-ut në këtë shkollë, Remzie Gashi, thotë se arsimtari i fizikës po mban mësim me vetëm 1% të nxënësve.

"Në shkollën tonë greva është duke vazhduar, përjashtim të një mësimdhënësit i cili mban mësim, por 1% e nxënësve vijnë në shkollë".

Për Beqirin duket se një orë e fizikës me një grusht nxënës ka më shumë rëndësi se vullneti i kolegëve të tij për të mbajtur grevë.

Sot, Beqiri me shpejtësi, duke besuar se është në rrugën e drejtë dhe kohën e saktë, ua ka shpjeguar “Shpejtësinë, rrugën dhe kohën” pak nxënësve të tij.

Lajme të ngjashme