Ligji i Pagave: Çka nëse vlera e koeficientit është nën 120 euro? - NACIONALE

Ligji i Pagave: Çka nëse vlera e koeficientit është nën 120 euro?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Ligji i Pagave u miratua, megjithatë zyrtarët publikë ende nuk kanë dijeni sa do të paguhen me ligjin e ri. Kjo pasi vlera e koeficientit nuk është përcaktuar ende. Kjo pritet të ndodhë më së largu deri në javën e ardhshme, ashtu siç paralajmëroi shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Megjithatë, mediat në vend kanë raportuar për vlera të ndryshme të koeficientit që janë diskutuar nga Qeveria e Kosovës. Diskutimet më të shpeshta në media ka qenë se vlera më e ulët e koeficientit mund të jetë 95 euro, dhe më e larta 110. Të gjitha këto mbesin në nivelin e informacioneve të pakonfirmuara, pasi nga pushteti nuk kanë pranuar të japin asnjë detaj.

Për të gjitha sindikatat në Kosovë, çdo vlerë e koeficientit nën 120 euro do të ishte i papranueshëm. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se vlera duhet të jetë rreth 130 euro, apo 50% e pagës minimale që është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk kemi ende informata sa do të jetë vlera. Supozime ka të ndryshme, ndërsa kërkesë e jona ka qenë 50% e vlerës së pagës minimale që ka qenë në lexim të parë. Që i bie 130 ose 132 euro vlera e koeficientit. Shumë e papranueshme. Nëse vlera është nën 120 euro, do të krijojë jashtëzakonisht shumë pakënaqësi”, deklaroi Zeqiri për Nacionalen.

Opsion që ishte diskutuar ka qenë që koeficienti të jetë më i lartë për disa kategori si policët, arsimtarët, zjarrfikësit e ushtarët, kurse vlera më e ulët të jetë për ministra, zv/ministra, gjyqtarë e prokurorë.

“Nëse ata e bëjnë ashtu është diskriminim, sepse i kanë caktuar koeficientët dhe mendoj që vlera duhet të jetë e njëjtë në krejt sektorin publik. Nëse ndryshon vlera prej një institucioni në institucionin tjetër, është e kundërligjshme dhe e papranueshme”, shtoi më tutje Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Qëndrimin e ngjashëm e kanë edhe nga Sindikata e Arsimit. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, theksoi se nëse vlera e koeficientit është nën 120 euro, do të shkaktojë zhgënjim të madh.

“Për besë, SBAShK-u nuk ka ndonjë informacion të saktë. Gjatë grevës kur është përfolur nga zonja Nagavci koeficienti së paku 120 euro, ne kemi bërë disa vlerësime me ekspertët tanë. Duke u bazuar edhe në koeficientët dhe kemi ardhur në përfundim që 120 euro do të lëvzite pagat, jo shumë, por do lëvizte. Dhe nën këtë koeficient, SBAShK-u vlerëson se nuk do të ndikonte në rritjen e pagave. Do të ishte e papranueshme. Shpresojmë që të jetë edhe më i lartë se 120. Koeficienti nën 120, do të ishte e papranueshme, sidomos duke ditur ngritjen e çmimeve. Me të drejtë mësimdhënësit presin një lëvizje në vlerën e koeficientit, dhe lëvizja do të ishte vetëm nëse vlera e koeficientit është së paku 120”, ka deklaruar Rrahman Jasharaj për gazetën Nacionale.

Edhe Federata Sindikale e Shëndetësisë kishte kërkuar që vlera e koeficientit të jetë së paku 50% i pagës minimale që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës me qëllim të ruajtjes së paqes sociale dhe bashkëpunimit të ndërsjell si dhe evitimin e masave sindikale fton publikisht Qeverinë e Republikës së Kosovës që vlera e koeficientit e paraparë të përcaktohet me Ligjin për ndarjet buxhetore të mos jetë më e ulët se 50% e vlerës së pagës minimale të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës (264 euro bruto) përmes Projektligjit për pagën minimale i cili ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatë.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se vlera e koeficientit do të shkojë në Kuvend gjatë kësaj jave, më së largu javën tjetër.

Shuma e caktuar e koeficientit do të shumëzohej pastaj me nivelin e koeficientit - që varion nga 2 deri në 18 - dhe do të prodhonte vlerën e pagës.

Skenari optimist

Nëse vlera e koeficientit do të ishte 129 që llogaritet si skenari më optimist, atëherë rrogat e zyrtarëve publikë do të lëviznin më shumë.

Në anën tjetër, drejtorët e shkollave të mesme të larta pritet që ta kenë koeficientin 6,4 ose pagë prej 825 eurosh e 60 centësh, teksa drejtorët e shkollave fillore e të mesme të ulëta parashihet që ta kenë koeficientin 6 apo pagë prej 774 eurosh.

Ndërkaq drejtori i shkollës së mesme të lartë pritet që ta ketë koeficientin 6,4 apo 768 euro bazë. Drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët parashihet që ta ketë koeficientin 6 apo pagë 720 euro.

Komandanti i FSK-së do të ketë pagë prej 1 mijë e 935 eurosh.

Drejtori i Policisë pritet që të këtë pagë prej 1 mijë e 870 eurosh e 50 centësh, ndërkohë të njëjtin koeficient pritet ta ketë edhe drejtori i Doganës, i cili po ashtu pritet që të marrë të njëjtën pagë.

Sa u përket kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve komunalë, del që koeficienti më i lartë do të jetë për kryetarin e kryeqytetit.

Ai do ta ketë koeficientin 15, pra pritet të marrë pagë bazë prej 1 mijë e 935 eurosh.

Teksa për kryetarët që kanë mbi 100 mijë banorë, koeficienti pritet të bëhet 13, e që i bie të marrin pagë prej 1 mijë e 677 eurosh.

Skenari tjetër – 120 euro

Një tjetër skenar është që vlera e koeficientit të jetë 120 euro.

Më tej, sipas Projektligjit për Paga, në arsimin universitar dhe parauniversitar, koeficientin më të lartë pritet që ta ketë rektori - 14,2 - apo me një pagë bazë prej 1 mijë e 704 eurosh.

Ndërkaq drejtori i shkollës së mesme të lartë pritet që ta ketë koeficientin 6,4 apo 768 euro bazë. Drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët parashihet që ta ketë koeficientin 6 apo pagë 720 euro.

Mësimdhënësit në shkollën e mesme të lartë, koeficientin 5,8 apo 696 euro pagë bazë, ndërsa ata në arsimin fillor do ta kenë koficientin 5,6 apo 672 euro e mësimdhënësit e institucioneve parashkollore koficient 5,2 apo 624 euro pagë.

Komandanti i FSK-së me koeficient 15 pritet të marr pagën 1 mijë e 800 euro nëse vlera e koeficientit është 120 euro.

Ndërsa koloneli merr pagën 1 mijë e 440 euro pasi që sipas ligjit koeficienti i tij është 12.

Togeri me koeficient 8.2 pritet që të marr pagën 984 euro në muaj.

Ushtari i klasit të parë me koeficient 5.8 merr pagën 696 euro, ndërsa ushtari i thjeshtë me koeficient 5.6 merr pagën 672 euro në muaj.

Lajme të ngjashme