“Të gjithë në ankth”: Ligji i Pagave drejt zbatimit, por askush nuk e di nivelin e pagës - NACIONALE

“Të gjithë në ankth”: Ligji i Pagave drejt zbatimit, por askush nuk e di nivelin e pagës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët publikë po e presin me ankth zbatimin e Ligjit për Pagat. Ndonëse muaji shkurt kur do të fillojë zbatimi i këtij ligji po afrohet, askush prej zyrtarëve publikë nuk e di se sa do ta ketë pagën.

Ligji është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare, por ende nuk dihet se kur do të caktohet vlera e koeficientit. Kryeministrit Albin Kurti ka paralajmëruar se vlera do të caktohet këtë muaji, por nuk ka përmendur datë.

Mungesa e vlerës së koeficientit ka futur në huti zyrtarët publikë.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civil (SSHCK), Ali Sefaj, ka thënë se të gjithë zyrtarët janë të shqetësuar me moscaktimin e vlerës se koeficientit.

Po është shumë shqetësuese sepse askush nuk e di sa do të jetë paga e tij. Kjo cenon parimin e transparencës dhe parashikueshmerisë. Është e pa precedent te kemi ligj pagash qe nuk e rregullon vlerën e koeficientit, por e parasheh rregullimin e tij me Ligj te Buxhetit”, ka thënë Sefaj.

Zyrtarët skeptik për rritjen e pagave

Zyrtarët publikë janë shprehur skeptik se me këtë ligj do të iu rritet rroga.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civil (SSHCK), Ali Sefaj, ka thënë se në bazë të buxhetit që është ndarë për paga është e pamundur të këtë rritje të pagave.

Me ligjin e buxhetit nuk është paraparë, tani duhet te plotësohet dhe ndryshohet ligji i buxhetit, nga buxheti i ndarë për paga 745 euro, është e pamundur qe te kemi rritjen e pritur. Përcaktimi i vlerës se koeficientit me Ligj te Buxhetit punëtoret e sektorit publik le ne dore te politikes ditore, duke ua mundësuar qeverive qe edhe vlerën e koeficientit ta përdorin ose keqpërdorin për politika ditore ( për qëllime elektorale)”, ka thënë ai.

Sefaj ka paralajmëruar se nëse vlera e koeficientit nuk është e kënaqshme, ligj mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

Në rast se vlera e koeficientit nuk do jetë e kënaqshme ligjin do ta dërgojmë nëpërmjet Avokatit te Popullit ne Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Sefaj.

Avokatit të Popullit i kërkohet që ligji të dërgohet në Kushtetuese

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar nga Avokati i Popullit që Ligjin për Pagat në Sektorit Publik ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Ky institut sot ka deponuar një kërkesë në këtë institucion ku kërkohet që nisen hetimet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe inicim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, reagimi i Avokatit të Popullit në këtë situatë është i domosdoshëm. Përmes kësaj letre, IKD kërkon nga Avokati i Popullit që ta trajtojë këtë çështje dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të iniciojë Ligjin NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese” është thënë në kërkesën e IKD.

Sipas IKD-së, ky ligj cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficientëve.

Sa i përket uljes së pagave, Ligji ka përcaktuar rregulla adekuate për mbrojtjen e nëpunësve nga ulja e pagave. Por, IKD ka gjetur se Ligji i mbron këto rregulla vetëm për të ardhmen, por se nuk i aplikon për të kaluarën. Kjo pasi Ligji në fjalë nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik të cilët ndikohen negativisht nga ky Ligj. Ndonëse ky Ligj nuk ka përcaktuar vlerën monetare të koeficientit, nga fryma e përgjithshme e tij (si psh. përcaktimi i dispozitave mbi shtesën transitore) dhe nga disa prej raportimeve, shihet një tendencë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Me këtë rast, IKD tërheq vëmendjen se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë situatë është në kundërshtim me kërkesat që rrjedhin nga Aktgjykimi nr. KO219/19 dhe në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat kanë krijuar tashmë praktikë dhe standard ndërkombëtar, në raport me pagat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial”, është thënë në komunikatën IDK-së.

Presidentja pagën më të lartë

Ndonëse vlera e koeficientit nuk dihet ende, koeficientin më të lartë do ta ketë presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Koeficienti i shefes së shtetit do të jetë 18.0, për të vijuar më pas më kryetarin/kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, 17.5, kryetarin e Kuvendit, 17, kryeministrin 17 dhe kategori të tjera që mund t’i shihni në fotografinë më poshtë.

Në nenin 7 të Ligjit, tregohet edhe se si do të bëhet llogaritja e pagës.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti as të premtën nuk e ka treguar vlerën e koeficientit të pagave.

Në një konferencë për medie, ai ka thënë se nuk është duke mbajtur diçka fshehtë, por administrate publike është duke e bërë përllogaritjen e vlerës se koeficientit.

S’ka asgjë këtu që mbahet fshehur. I takon administratës publike, që është në kuadër të Ministrisë së Brendshme, ta sjellë këtë përllogaritje sa më parë. Ajo që dihet është se buxheti i gjithëmbarshëm është se 745 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Disa nene të Ligjit për Paga janë kritikuar edhe nga opozita, por ato ende nuk kanë treguar nëse edhe këtë ligj do ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.

Lajme të ngjashme