Letra e Ramë Bujës, përplasja Çitaku-Musliu e raportime për largime të tjera - PDK nën reformim e sipër - NACIONALE

Letra e Ramë Bujës, përplasja Çitaku-Musliu e raportime për largime të tjera - PDK nën reformim e sipër

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkëndijat e para të reformimit të Partisë Demokratike të Kosovës veçse kanë filluar.

Megjithatë, qysh në fillet e para të këtij procesi, kanë filluar edhe përplasjet.

Fillimisht, një prej figurave kyçe të PDK-së në epokën e gjatë dhe paspavarësisë, Ramë Buja, përmes një letre të publikuar ditë më parë konfirmoi largimin nga kryesia e PDK-së.

Ai radhiti disa nga arsyet, ndërsa shtoi se sa për numër nuk do të qëndrojë as në PDK.

"Në asnjë organizim ilegal a legal, luftarak a paqësor, mekanizëm veprues partiak a shtetëror, dikur dhe sot, nuk kam qëndruar sa për të bërë numër, as për dekor, e këtë nuk deshta e as nuk dua të bëjë në këtë parti, ku jam njëri nga themeluesit e saj", shkroi në letrën e dorëheqjes ish-ministri i arsimit.

Nacionale merr vesh se Ramë Buja nuk është i vetmi nga ish-figurat e forta të kësaj partie që kanë hequr dorë nga angazhimi në parti.

Në anën tjetër, një përplasje në distancë mes deputeteve të PDK-së ngjau gjatë ditës së sotme.

Fillimisht në një intervistë dhënë gazetarit të Nacionales, Muhamet Koci, Ganimete Musliu tha se në partinë ku bën pjesë edhe ajo po instalohet fryma e mungesës së transparencës.

Veç kësaj, ajo paralajmëroi se në PDK tashmë ekziston një grup që synon të udhëheqë me partinë dhe t'i përjashtojë njerëz të caktuar.

"Besoj e kam bërë të qartë përmes sqarimit që e kam postuar në Facebook-un tim. Partia Demokratike, për një kohë të gjatë gjendet përballë një propagande të tmerrshme pa asnjë kriter dhe përtej kësaj pësoi një goditje të rëndë me arrestimin e ish liderëve Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli përderisa gjendeshim para zgjedhjeve nacionale dhe lokale".

Por, nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i nënkryetares Vlora Çitaku.

Kjo e fundit tha se i tërë koncepti i konventës është miratuar në kryesinë e PDK-së pa asnjë votë kundër.

Çitaku gjithashtu pohoi faktin se nuk do të ndalen deri në reformim, duke "thumbuar" kështu drejtpërdrejt Musliun dhe kritikat e saj.

"Të gjithë folësit në Konventën për barazi dhe fuqizim të gruas brenda PDK kanë qenë ose: 1) aktiviste të reja të PDK-së, ose anëtare të Kryesisë, ose Kryesuese Komunale, ose nënkryetare komunash, ose kryetarë komunash, ose drejtore në komuna, ose deputetë, ose anëtarë të Këshillit të Drejtues të PDK-së. I tërë koncepti dhe programi i konventës është miratuar në kryesinë e PDK-së pa asnjë votë kundër.

Të gjitha deputetet e PDK-së kanë qenë pjesë e paneleve. Pjesëmarrja ose jo ka qenë zgjedhje e tyre. Por, PDK do të hapet, dhe do të sjellë brenda vetës edhe gra e burra që nuk janë sot në PDK. Sepse vetëm ashtu ecim përpara. Do të krijojmë klimë pune për secilin që na bashkangjitet. E të tillë ka plotë. Nuk do të lejojmë monopolizim. Rrugëtimin në politikë nuk e kemi të gjithë të njejtë. Disa e fillojnë shumë herët si unë, dhe rriten në politikë, disa ndërtojnë profil dhe karrierrë profesionale, e pastaj i bashkohen politikës. Asnjëra nuk është gabim. Të dyja janë të vlefshme. Nuk kemi me u ndalë. Hapje. Reformim. Jo tjetërsim. Ska rrugë tjetër", shkroi Çitaku.

-0.2%

Kujtojmë se në sondazhet e fundit, Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar një rënie prej 0.2%, fjala është për periudhën (qershor-shtator).

Me kryetar të ri e disa prej figurave të reja në krye, PDK nuk po ia del ta kthej përqindjen e dikurshme.

Numrat e fundit nuk flasin edhe aq mirë për partinë më të madhe opozitare aktualisht, ndërsa mbetet të shihet se si do t'ia dalë me "çarjet" e fundit, nëse mund të konsiderohen të tilla, ani pse predispozitat janë për probleme të tjera ditët e javët në vijim.

Lajme të ngjashme