LDK e PDK qortuan Kurtin për mos-transparencë, vetë s'flasin gjë për takimin me Escobarin - NACIONALE

LDK e PDK qortuan Kurtin për mos-transparencë, vetë s'flasin gjë për takimin me Escobarin

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

PDK-ja dhe LDK-ja kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mostransparencë për takimin e 18 gushtit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, por as ato vetë deri në momentin që po flasim nuk kanë treguar për takimin e tyre me përfaqësuesin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ende nuk e kanë thënë asnjë fjalë për takimin e mbrëmshëm me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përkundër që nuk ka asnjë vend krahasimi me presidentin serb Vuçiq, me të cilin ishte takuar Kurti.

Escobari në ambientet e ambasadës amerikane në Prishtinë, mbrëmë për gati dy orë ka takuar liderët e opozitës.

I vetmi që ka folur deri me tani për këtë takim është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

I pari i AAK-së, ka thënë se me diplomatin amerikan kanë zhvilluar një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës.

“Gjatë darkës në rezidencën e Ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, me të dërguarin e posaçëm për dialogun z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit, zhvilluam një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe mik i besueshëm dhe së bashku do ta ruajmë paqen dhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Para se të takonte liderët e opozitës, i dërguari i posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Zyra e Presidencës ka treguar se e para e vendit me diplomatin amerikan kanë diskutuar për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë në veriun e Kosovës.

Presidentja ka potencuar se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon. Presidentja Osmani ka theksuar se prioritet i institucioneve të Kosovës është zbatimi i ligjit dhe në këtë kontekst ka potencuar se vendimet e institucioneve të Kosovës janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe nuk drejtohet kundrejt asnjë komuniteti”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Kurti ia plotëson dëshirën popullit

Më në fund, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin e tretë të tij me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili është mbajtur më 18 gusht në Bruksel.

Sot, gjatë mbledhjes se Qeverisë, Kurti ka dhënë detaje për takimin, duke treguar për propozimet e tij.
Ai ka thënë se në takim ka elaboruar në detaje këndvështrimet e Kosovës për marrëveshjen kornizë dhe elementet që duhet të përfshihen në të.

Kemi elaboruar në gjashtë kapituj. Kapitulli i parë të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve e kontekstin ndërkombëtar, që nënkupton në njërën anë njohje reciproke e në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizata ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike dhe artefakteve arkeologjike e etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për të ardhmen, që ka të bëjë me vendosjen e bashkëpunimit me dy vendeve”, ka thënë ai, duke përmendur edhe kapitujt tjerë.

Në kapitullin e katërt kemi ofruar trajtimin e barabartë të pakicave respektive, si për serbët në Kosovë ashtu edhe shqiptarët në Serbi. Në kapitullin e pestë, duhet të konsiderojmë marrëveshjet e deritashme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre, siç është plasur dezinformata nga pala tjetër, por shqyrtimi i asaj se cilat nga këto marrëveshje veçse janë tejlaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes finale ligjërisht të obligueshme e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen. Kapitulli i fundit ka të bëjë me vendosjen e mekanizmave për zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit. Ka qenë pritja jonë që pika e parë e agjendës të konsumonte pjesën më të madhe të kohës, e për këtë arsye kemi qenë të gatshëm të qëndrojnë përtej të enjtes”, është shprehur Kurti.

Ai ka kritikuar palën serbe si ishte destruktive në këtë takim. Shefi i ekzekutivit ka thënë se Serbia është duke cenuar sigurinë nacionale dhe rajonale në përgjithësi.


Jam thellësisht i bindur se pala serbe panevojshëm dhe krejt artificialisht është duke e eskaluar retorikën ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë, kjo bashkë me kërcënimet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës, si e tillë kjo përbën cenim të drejtpërdrejt si të sigurisë nacionale, ashtu edhe të rajonit në përgjithësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsi në negociata duke kërcënuar BE-në, SHBA-në apo Mbretërinë e Bashkuar me tensione në të ardhmen”, është shprehur Kurti.

Javën e kaluar, përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së kanë kritikuar Kurtin për mostransparnecë rreth takimit të 18 gushtit.

Sipas tyre, i pari i qeverisë, është dashur të jep detaje për takimin e Brukselit, i cili kishte zgjatur rreth pesë orë.

Kryeministri Kurti është arsyetuar për vonesën në deklarime rreth kësaj çështje. Ai ka thënë se nuk është prononcuar pas takimit, sepse kishte një dakordim me BE-në që të mos flasim pas takimit.

Escobar e Lajçak i shkojnë Kurtit në zyrë në orën 15:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ora 15:00 do të takohet me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me emisarin e BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Sipas njoftimit, Kurti me Escobar dhe Lajçak takohet në Zyrën e Kryeministrit me fillim në ora 15:00.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. Mediat mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Pas takimit me përfaqësuesit e Kosovës, emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, pritet të udhëtojë në Serbi.

Lajme të ngjashme