LDK akuzon pushtetin për padrejtësi në ndarjet buxhetore: Shfaqje e hapur e njëanshmërisë politike - NACIONALE

LDK akuzon pushtetin për padrejtësi në ndarjet buxhetore: Shfaqje e hapur e njëanshmërisë politike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përkatësisht anëtari i kryesisë së kësaj partie, Xhafer Tahiri, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po ndëshkon 18 komuna të Kosovës me shumë padrejtësi në ndarjet buxhetore për vitin 2023, duke mos i dhënë asnjë investim atyre vetëm sepse nuk kontrollohen nga pushteti.

Në këtë reagim thuhet se kjo përbën një shfaqje të hapur të njëanshmërisë politike dhe fyerje për çdo qytetar që meriton trajtim të drejtë dhe të barabartë.

“Qeveria po dërgon investime në komunat e kontrolluara nga Vetëvendosje, kjo është shfaqje e hapur e njëanëshmerisë politike dhe një fyerje për çdo qytetarë që meriton trajtim të drejtë dhe të barabartë” – ka thënë Tahiri.

Në videon e publikuar në Facebook, Tahiri ka thënë se 52 për qind e gjithë buxhetit për projekte të reja këtë vit do t'i shkojë vetëm 3 komunave që udhëhiqen nga partia në pushtet.

Tutje ai ka argumentuar se këto komuna mbulojnë vetëm 9 për qind të territorit të Kosovës dhe vetëm 8 për qind të popullsisë së saj.

Në anën tjetër, Tahiri ka thënë se 18 komuna nuk do të shohin asnjë centë nga investimet e reja nga buxheti i vitit 2023.

Sipas Tahirit, kjo përbën një formë e ndëshkimit të qytetarëve dhe pyet nëse ata meritojnë një trajtim të tillë.

Aty përmendet edhe miratimi i rivlerësimit të pronave dhe banesave private i cili u rrit 100 për qind shtatorin e vitit të kaluar.

Kujtojmë se në një analizë të publikuar nga Instituti GAP, thuhet se ka një favorizim të komunave të udhëhequra nga Vetëvendosje në investime të reja kapitale në nivel qendror nëpër komuna.

“Tek investimet e reja kapitale të nivelit qendror nëpër komuna vërehet një favorizim i komunave të udhëhequra nga Vetëvendosje (VV), të cilat do të përfitojnë mbi gjysmën e këtyre investimeve. Ngjashëm, Projektbuxheti 2023 parasheh edhe një ndryshim në aspektin ligjor, atë të marrjes nën menaxhim nga qeveria qendrore të mjeteve vetanake të pashpenzuara të komunave nëse të njëjtat datojnë para vitit të fundit fiskal. Kjo nismë bie ndesh me legjislacionin në fuqi dhe ndikon negativisht në performancën e komunave.” – thuhet mes tjerash në publikimin e GAP.

Kujtojmë se edhe vitin kaluar Qeveria Kurti kishte ndarë mbi 1 milionë euro për komunat e Gjilanit, Podujevës, Shtimës, Kamenicës , Istogut dhe Klinë. Shumica e parave janë rialokuar në drejtim të 4 komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, që për kryetar ka kryeministrin Albin Kurti. Ndërsa Istogu e Klina, që përfituan po ashtu nga ky grant qeveritar, udhëhiqen nga LDK e AAK respektivisht.

Lajme të ngjashme