Lajçaku e pështjell punën, lind dilema “brukseliane”: Është tërhequr apo jo letra e Bërnabiqit?
Një dilemë e re është shfaqur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Dilema është krejt absurde: është tërhequr apo jo letra e Ana Bernabiqit, ish-kryeministre e Serbisë, përmes së cilës Serbia tërhiqej nga obligimet e Marrëveshjes Bazike të vitit 2023?
Në këtë dilemë, që për burim e ka Lajçakun, ekzistojnë tri qëndrime zyrtare. Qëndrimi i parë është i Brukselit (letra është tërhequr); qëndrimi i dytë është i Qeverisë së Kosovës (letra nuk është tërhequr); qëndrimi i tretë është ai i Serbisë (përgjigje me ekuivoke).
Si lindi kjo dilemë “brukseliane”?
Javën që shkoi, Miroslav Lajçaku, ndërmjetës i posaçëm i BE-së, në formë triumfaliste dha një lajm disi të posaçëm. Gjatë vizitës në Prishtinë, Lajçaku ua dha një informacion të ri gazetarëve, që tingëllonte si një kumt, duke thënë se “është tërhequr Letra e Bërnabiqit”.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në zbatim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë” – u shpreh Lajçaku.
Menjëherë pas kësaj deklarate kishte reaguar Bërnabiqi, që tash është kryetare e Kuvendit të Serbisë, duke refuzuar të përgjigjej saktësisht nëse e ka tërhequr letrën.
“Nuk do të them tani… Jo vetëm unë, por të gjithë ne – nga Vuçiqi, kryeministri Millosh Vuçeviq, unë dhe të gjithë të tjerët, të gjithë me shumë vetëdije dhe qëllimisht nuk i përgjigjemi asaj teme” – thoshte Bërnabiq.
Për t’u pështjellë ende edhe më shumë çorba e Lajçakut, BE-ja e ritheksoi qëndrimin e emisarit special, duke e hedhur topin te Serbia për ta sqaruar tërheqjen e letrës.
“Sërish, në emër të BE-së mund të them atë që emisari evropian e tha në Prishtinë javën e kaluar, s’ka nevojë ta përsërisim atë.
Pse, kur, si, nëse bëri diçka apo s’e bëri, kjo u përket autoriteteve të Serbisë që ta adresojnë pyetjen. Por mund të them pozicionin e BE-së nga dita e parë e marrëveshjes së Ohrit, është ligjërisht e obligueshme dhe dy palët e kanë detyrë ta implementojmë” – kishte thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Megjithatë, dilema “brukseliane” u thellua edhe më shumë dje. Pas takimit në Bruksel, Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës, e përgenjështroi Lajçakun, duke thënë se dje mori vesh që letra e Bërnabiqit nuk është tërhequr.
“Po, për mua ka qenë shumë e çuditshme ajo deklaratë, për arsye se nuk është përmendur në takim. Letrat nuk tërhiqen në fshehtësi, ka procedura për tërheqjen e tyre. Sot e kuptuam nga zoti Lajçak që letra nuk është tërhequr, por ajo që ka dashur të thotë në Prishtinë është që po punohet me Serbinë që ajo të tërhiqet. Letra nuk është tërhequr dhe as nuk ka kërkesë për tërheqjen e saj nga ana e Serbisë ende, por po punohet në atë drejtim që e njëjta të tërhiqet” – tha Bislimi gjatë përgjigjes mbi çështjen e tërheqjes së letrës së Bernabiqit.