BE përsërit deklaratën e Lajçakut se Serbia ka tërhequr letrën: Pse, kur e si ta adresojnë ata - NACIONALE

BE përsërit deklaratën e Lajçakut se Serbia ka tërhequr letrën: Pse, kur e si ta adresojnë ata

4 javë më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano është pyetur së fundi mbi deklaratën e ndërmjetësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak se Serbia ka tërhequr letrën ku thuhej se nuk do t’i respektonte obligimet nga Marrëveshja e Ohrit. Ai ka ripërsëritur deklaratën e emisarit, duke thënë se palës serbe i takon të japë më shumë detaje.

Stano gjatë konferencës për media u pyetu rreth kohës kur është tërhequr letra dhe se si është bërë një gjë e tillë. Ai u përgjigj shkurt duke thënë:

“Sërish, në emër të BE-së mund të them atë që emisari evropian e tha në Prishtinë javën e kaluar, s’ka nevojë ta përsërisim atë.

Pse, kur, si, nëse bëri diçka apo s’e bëri, kjo u përket autoriteteve të Serbisë që ta adresojnë pyetjen. Por mund të them pozicionin e BE-së nga dita e parë e marrëveshjes së Ohrit, është ligjërisht e obligueshme dhe dy palët e kanë detyrë ta implementojmë.”.

Zëdhënësi i BE-së u pyet sërish që ta konfirmojë tërheqjen e letrës me “po” ose “jo”. Këtu, ai tha se nuk do ta komentojë më shumë atë që ndërmjetësuesi e ka thënë në Prishtinë, pasi që sipas tij, “nuk ka çfarë të shtohet”.

“Natyrisht, dhe kjo është çfarë thash dy herë, nuk do ta komentoj më tej atë që ë ndërmjetësuesi e tha, sepse ai e ka thënë këtë, dhe nuk ka çfarë të shtohet.” – u përgjigj ai, transmeton Nacionale.

Çfarë tha emisari në Prishtinë?

Javën e kaluar emisari Lajçak qëndroi në Prishtinë, ku u takua me kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Pas përfundimit, ai para mediave deklaroi se Serbia ka tërhequr letrën ku thuhej se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë.”u shpreh Lajçak.

Ndërkohë, të martën Lajçak vizitoi edhe Serbinë. Ndërmjetësuesi evropian nuk u deklarua para mediave, ndërkaq detaje nuk dha as presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Ky i fundit, deklaroi:

“Sot patëm biseda të ndara dyorëshe për Kosovën, fillimisht me Miroslav Lajçakun dhe me ambasadorin amerikan, Christopher Hill dhe në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohemi publikut...Ne do t’ju përgjigjemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme. Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm”.

Lajme të ngjashme