Kush, ku dhe çfarë për zgjedhjet e së dielës
Në 81 komuna gjithandej Maqedonisë së Veriut, 1.832.415 qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë për të zgjedhur qeverisjet lokale për katër vitet e ardhshme. Të përjetuara nga të gjitha partitë si një parabetejë në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, këto zgjedhje do të zbulojnë fuqinë e secilit, por edhe do ta përcaktojnë të ardhmen e plot politikanëve e koalicioneve.
Col Mehmeti
17 tetor 2025 – E diela, dita e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, do të jetë si ai momenti kur bie gongu.
Më shumë sesa përtëritje e pushteteve lokale, këto zgjedhje janë letër lakmusi për një ‘kush-është-kush’ në peizazhin e polarizuar politik në vend.
Nëse në kampin maqedon, VMRO-DPMNE-ja mbahet mirë në sondazhe kundrejt një LSDM-je të zalisur e me udhëheqësi të pakonsoliduar, kampi shqiptar është në një gjendje skajshmërisht të agjituar.
Tensionet kanë qenë konstantja që prej 2004-s, por nga viti i kaluar ato kanë marrë një përmasë të re negativiteti e ashpërsie të ndërsjellë.
Importi i gabuar nga Kosova
Kreatyra e doktor Frankenshtajnit, VLEN-i, si bashkim formal i një morie partish të vogla, ishte ‘importi’ më i pahajrit nga Kosova.
Në kurriz të veçantive të kontekstit shqiptar në Maqedoni, albinkurtizmi, si një jabanxhi i padëshiruar, e tokëzoi andejpari një frymë shkatërruese.
Lexo edhe: VLEN-i si VLAN-i në Kosovë - nisi me katër parti mbeti me tri
Njësoj si në Kosovë, ky model i mbrapshtë nuk e shihte Tjetrin si një rival që mposhtet me një alternativë më të mirë, por të tillë që duhej t’i shkatërrohej trashëgimia edhe me çmimin e vënies së dinamitit mbi themelet e të mbërrimeve shqiptare.
Në Kosovë u shkatërrua investimi më i madh i pasluftës, siç qe kultura politike properëndimore që shtetndërtimin e shihte të lidhur si mishi me thoin me mbajtjen hapur të portave diplomatike kudo në Perëndim.
Në Maqedoninë e Veriut, albinkurtizmi polli një formacion kallp shqiptar në Qeveri e në shtet.
Ndonëse për nga hisja në ministri e dikasterë të ngrehës burokratike nuk ka kushedi ç’ndryshim, pesha e një formacioni të VRED-it (përkthimi maqedonisht i VLEN-it) është e vogël.
Lexo edhe: Mickoski i kapet Mexhitit për UÇK-në, VLEN-i s’bën zë
Një rrugë drejt zgjedhjeve të parakohshme?
Sondazhi i paradoditshëm i Institutit për Kërkime Politike (IPIS) e nxori Aleancën Kombëtare për Integrim, të udhëhequr nga BDI-ja, me një mbështetje elektorale prej 9.9 për qind kundrejt VRED-it me 7.5 për qind.
Këto përqindje janë pak-a-shumë të njëjta si me performimin nga zgjedhjet e vjetme parlamentare ku Fronti Evropian (BDI, Aleanca për Shqiptarët, PDSh, Lëvizja Populli e disa parti nga radhët e pakicave) mori 137,690 vota ose 14.06 për qind kundrejt VLEN-it që mori 106,937 ose 10.92 për qind të votave.
Afërmendsh që zgjedhjeve lokale u luhen penjtë nga dinamika tjetërfare, por ato tashmë po përjetohen si një parabetejë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Formalisht, Qeveria e Mickoskit gëzon një komoditet solid duke pasur 78 nga 120 deputetë, porse rrethanat e jashtme nuk janë bash-bash rozë.
Megjithë trashjen e lidhjeve me Beogradin nga ana e Mickoskit, Sofja zyrtare e ka trandur seriozisht këtë përcaktim të Shkupit.
Intrasigjenca e saj për t’i hapur kapitujt negociues për anëtarësim në BE, duke përfshirë rishikimin e Kushtetutës sa për t’i bërë vend pakicës bullgare, e ka prodhuar atë rrethanë ku hapërimi i vendit kërkon doemos një rilegjitimim përmes zgjedhjeve.
Brukseli nuk i blen ‘foret’ e Mickoskit
Flirtit me Moskë e me Beograd i është vënë një ‘No Pasaran’ edhe nga Parlamenti Evropian me rastin e raportit për Maqedoninë e Veriut të përgatitur nga eurodeputeti austriak, Thomas Weitz.
Lexo edhe: Raporti i Parlamentit Evropian: ‘Bota serbe’ po përkrahet në Maqedoni
Në pikën 80 të tij u shpreh “shqetësim për projektin e së ashtuquajturës ‘botë serbe’ dhe që disa përfaqësues në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kanë avokuar dhe promovuar këtë koncept”.
Për herë të parë, shtetit fqinj i është kërkuar që t’i hapë arkivat e shërbimeve të fshehta jugosllave (UDBA dhe KOS), ashtu që të tejkalohet e kaluara totalitare.
Se narrativa e Mickoskit për një vrull të ri zhvillimi nuk pinë ujë, së paku jo në Bruksel, u dëshmua edhe nga vërejtja tjetër serioze në këtë raport se Maqedonia e Veriut mbetet cak i operacioneve armiqësore nga vende si Serbia, Rusia e Kina, që i shfrytëzojnë sentimentet antievropiane.
‘Duele’ nga Çairi deri në Kërçovë
Në 80 komunat dhe Qytetin e Shkupit, gara më e nxehtë hëpërhë do të jetë ‘dueli’ mes Bujar Osmanit dhe Izet Mexhitit për kryetar të komunës së Çairit.
Përballja e së dielës mes dy bashkëpartiakëve të dikurshëm ka vënë në fije të perit fatin e tyre.
Që të dy kanë ‘zbritur’ në garën lokale: Bujar Osmani në qeverinë e kaluar kishte qenë ministër i Punëve të Jashtme, kurse Izet Mexhiti në qeverinë e tanishme mban postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Lexo edhe: ‘Dueli’ Osmani-Mexhiti në mesin e plot betejave në zgjedhjet lokale
Përplasje interesante mes bashkëpartiakësh të dikurshëm ose aktualë do të zërë vend edhe në garën për Kërçovën.
Kryetari aktual Fatmir Dehari, që pretendon mandatin e katërt, ka përballë ministrin e Politikave Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani.
Pjesë e garës është edhe Shkodran Alili, por pështjellimi fillon sapo ndërmenden drejtpeshimet e hajthme etnike brenda Kërçovës.
Lexo edhe: Kërçova në garën midis shqiptarëve dhe maqedonëve
Migrimi i vazhdueshëm i shqiptarëve ka prodhuar një tablo krejt të re edhe në strukturën etnike në këtë komunë.
Së paku, nga regjistrimi i vitit 2021, numri rezident i shqiptarëve është 16,373 ose 41.26 përqind, duke shënuar një përgjysmim për njëzet vjet.
Në anën tjetër, numri i maqedonasve nuk ka pësuar rënie të konsiderueshme në përqindje, meqë sipas statistikave të 2021-s si maqedonas janë deklaruar 16,020 ose 40.38 përqind.
Pos pjesëzimit të votës shqiptare. rrethana të tilla mund të çojnë ujë në mullirin e kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Jovanovski.
Garë në 23 komuna me shumicë shqiptare dhe 11 të tjera ku shqiptarët janë pakicë
Ndryshe, 1.832.415 qytetarë me të drejtë vote janë të regjistruar për zgjedhjet e së dielës, të cilët në 3480 qendra votimi do të kenë mundësinë të zgjedhin kryetarin e komunave dhe përbërjen e re të këshilltarëve komunalë.
Pas zgjedhjeve të së dielës, rrethi i dytë, ose balotazhi, do të mbahet më 2 nëntor.
Koalicioni i Aleancës Kombëtare për Integrim (BDI dhe Aleanca për Shqiptarët) garon në 23 komuna: në Qytetin e Shkupit garon me Skender Rexhepin; në Dollnen me Flamur Gjolekën; Çair Bujar Osmanin; Tetovë Bajram Rexhepin; Gostivar Valbon Limanin; Kërçovë Fatmir Deharin; Saraj Blerant Ramadanin; Strugë Arsim Dalipin; Dibër Ilirijan Fetahun; Studeniçan Ejup Abazin; Zhelinë Emir Sulejmanin; Vrapçisht Isen Shabanin; Haraçinë Skender Isufin; Pllasnicë Alija Jahoskin; Bogovinë Besnik Emshiun; Bërvenicë Enver Pajazitin; Tearcë Nazim Taipin; Likovë Erkan Arifin; Çashkë Suat Shaqirin; Kumanovë Selver Ajdinin; Butel Isamedin Azizin; Resnjë Maliq Shemshedinin dhe Jegunovcë Nasir Abazin.
Përveç këtyre, ky koalicion garon vetëm me lista për këshilltarë edhe në 11 komuna të tjera: në Shuto Orizarë me Zaim Leskovicën; Manastir Valdeta Musain; Sopishtë Qazim Sulovskin; Krushevë Agim Bajramoskin; Petrovec Remzi Halitin; Çuçer Sandevë Vait Tushën; Mavrovë Sead Asanin; Gazi Babë Makfire Isenin; Veles Llokman Salijan; Zelenikovë Refaik Bekirovskin dhe Karposh Lirim Kadriun.
Në anën tjetër, koalicioni VLEN garon për kryetar në njëzet komuna: në Kërçovë me Fatmir Limanin; Likovë me Nexhmedin Sadikun; Haraçinë me Daut Beqirin; Çair me Izet Mexhitin; Saraj me Muhamed Elmazin; Zhelinë me Blerim Sejdiun; tearcë me Daut Memishin; Bogovinjë me Feti Abazin; Gostivar me Sebaedin Dautin; Dollnen Blerim Islamin; Studeniçan me Sedat Bislimin; Tetovë me Bilall Kasamin; Dibër me Fisnik Melën; Qytetin e Shkupit me Bashkim Bakiun; Bërvenicë me Haqim Ramadanin; Vrapçisht me Memet Seferin; Kumanovë me Arben Etemin; Butel me Behar Eminin; Strugë me Mendi Qyrën dhe Krushevë me Xhemil Fejzullahun.
Njashtu, ky koalicion ka garuar me lista për këshilltarë komunalë në tetë komuna: Shuto Orizarë me Enis Zekirin; Manastir me Olendija Aliun; Sopishtë me Amet Ametovskin; Petrovec me Fuad Ajvazin; Çuçer Sandevë me Orhan Avdiun; Gazi Babë me Enis Zekirin; Veles me Berat Bajramovskin; dhe Zelenikovë me Ruzhdi Islamin. /Nacionale/