‘Dueli’ Osmani-Mexhiti në mesin e plot betejave në zgjedhjet lokale
31 korrik 2025 – ‘Dueli’ mes Bujar Osmanit dhe Izet Mexhitit për kryeparin e komunës së Çairit duket se do të jetë një nga pjesët më interesante të garës për kryetarë komunash në Maqedoninë e Veriut.
Si bashkëpartiakë të dikurshëm, përballja në vjeshtë mes Bujar Osmanit nga BDI dhe Izet Mexhitit nga koalicioni VLEN është pasqyra e një përplasje tejet të ashpër mes dy blloqeve kryesore politike shqiptare në shtetin fqinj, shkruan Nacionale.
Edhe sfondi i tyre politik premton një përplasje më të pazakontë se gjetkë: Bujar Osmani ka qenë në qeverinë e kaluar të Dimitar Kovaçevskit ministër i Punëve të Jashtme, kurse Izet Mexhiti në Qeverinë e Mickoskit mban postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Me një popullsi tejet të dendur prej 62,586 në një sipërfaqe tejet të vogël prej 3.52 kilometra katrorë, Çairi, në fakt, po i bën vend edhe matjes së atyre që ishin pjesë e së njëjtës parti.
Më 2005, kryetar i komunës qe zgjedhur Izet Mexhiti nga radhët e BDI-së.
Si çerdhe e partisë së Ali Ahmetit, kjo komunë në Shkup kishte mbetur e tillë derisa nga ‘vatha’ e saj u nda një pjesë e figurave lokale të BDI-së dhe në gusht të 2023-s themeluan Lëvizjen Demokratike.
Kësisoj, kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, i cili është në mandatin e dytë në krye të kësaj komune, i qëlloi të kalonte në LD pavarësisht se ishte kandiduar nga radhët e BDI-së.
Nga ajo kohë, qeverisja lokale e Çairit është bërë arenë përplasjesh të forta mes LD-së dhe BDI-së, ku kjo e fundit ka pasur në maje gjuhe shkeljet për sa u përket legalizimit të ndërtimeve, buxhetit publik dhe aferave korruptive.
Një përplasje interesante në zgjedhjet lokale që mbahen në vjeshtë duket se do të jetë edhe gara për Kërçovën.
Nga koalicioni VLEN tashmë është konfirmuar se në Kërçovë do të dilet me kandidaturën e Fatmir Limanit, i cili tashpërtash është ministër i Politikave Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Ai do t’i matë forcat me kryetarin aktual, Fatmir Dehari, i cili, ndonëse nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, do të jetë oferta e BDI-së për mandatin e katërt.
Siç është thënë shpesh, gara e sivjetme në Kërçovë do të jetë në ‘fije të perit’ edhe për shkak të veçantive etnike të komunës.
Ndërkohë, disa media shqiptare në Maqedoni, duke u thirrur në burime të brendshme, kanë mësuar kandidaturat që do të ofrohen nga koalicioni VLEN.
Pos Izet Mexhitit në Çair dhe Fatmir Limanit në Kërçovë, ky koalicion ka propozuar edhe këto kandidatura: Bilall Kasamin për Tetovë, Fadil Canën për Gostivar, Muhamed Elmazin për Saraj, Fisnik Melën për Dibër, Feti Abazin për Bogovinë, Daut Memishin për Tearcë, Blerim Sejdiun për Zhelinë, Haqim Ramadanin për Bërvenicë, Afet Jasharin për Studeniçan, Nexhmedin Sadikun për Likovë, Hamit Shabanin për Vrapçisht, teksa në Haraçinë nuk është marrë vendimi ende.
Në anën tjetër, Fronti Evropian (BDI dhe partitë aleate) dhe Aleanca për Shqiptarët e kryesuar nga Arben Taravari do të garojnë me kandidatë dhe lista të përbashkëta.
Kjo e fundit, para disa ditësh, i ka zyrtarizuar këto kandidatura: Valbon Limanin i cili rikandidon edhe për një mandat në Gostivar, Blerand Ramadanin për komunën e Sarajit, Isen Shabanin për Vrapçishtin dhe Nazim Taipin për Tearcën.
Ndërkohë, pjesa tjetër e kandidatëve do të përzgjedhet nga BDI gjatë ditëve në vijim. /Nacionale/